NDUE MEHILL LOGU NE 30 VJETORIN E RENIES NE KRYE TE DETYRES” DESHMOR I ATDHEUT”

Nën uniformë dhe në Moskë – pjesë nga libri “Shqiponja e Dukagjinit”

gjin_musa_300

– shkruar nga Gazetari Gjin Musa.

Tingujt alarmantë të burisë u dëgjuan kur ende rrezet e para të mëngjesit nuk kishin hyrë nga dritarja. Në fillim ai gati nuk u kujtua se ku ndodhej. Por tek pa që nga krevatet filluan të kërcejnë me shpejtësi djem të tjerë, moshatarë të tij e të visheshin me nxitim, u përmend. Ishte mëngjesi i parë në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” . Duke ndjekur ritmin e shokëve, veshi shpejt e shpejt pantallonat, lidhi këpucët e rënda e me vrap drejt oborrit ku rreshtimi bëhej me një shpejtësi të jashtëzakonshme për të nisur ditën me fiskulturën e mëngjesit. Kështu e niste ditën edhe atje në konviktin “Tom Kola” në Shkodër, veçse këtu ishte krejt ndryshe. Ritmet ishin më të shpejta, luftarake e koha llogaritej me sekonda. Disiplina ishte e rreptë e rregullat më të forta. Po niste kështu jetën e tij nën uniformë, e cila tashmë do të ishte futur e gjitha në kornizën e rregullave e normave ushtarake.

Në mendje i erdhi udhëtimi i një dite më parë. Deri atëherë nuk e kishte kaluar kurrë Urën e Bahçallekut mbi lumin Drin, poshtë këmbëve të kalasë së Shkodrës. I ulur në sediljen e njërit nga autobuzët e kuq “Viberti” që formonin atë kolonë të shkurtër që çonte pasagjerët nga Shkodra në Tiranë, ai vështronte me kuriozitet e me etje pejsazhet që po i shpaloseshin për herë të parë në të dy anët e rrugës. Rruga gjarpëronte mes kodrash të buta e zonave fushore, që atij i dukeshin shumë të mëdha në krahasim me ato pak ngastra toke të punueshme në brijët e maleve atje në bjeshkë. Kaluan mes për mes qytetit të vogël të Lezhës. Në krah të majtë, kodra me kalanë e lashtë që dukej sikur ishte e varur në gjoks të malit të Velës që ishte në sfond. Nga krahu tjetër hapeshin fushat e Bregut të Matës që shtriheshin deri në Adriatik. I bëri përshtypje të veçantë ura me harqe mbi lumin e Matit, për të cilën dikush i tha se mbante emrin e ish mbretit Zog. Mbreti i dikurshëm ishte nga rrethi i Matit e kishte dashur ta linte vulën e emrit të tij edhe në urën mbi lumin me të njëjtin emër. Më tej, gjithnjë në krah të majtë, lartësohej Mali i Krujës, me qytetin e lashtë, ku spikaste kalaja mesjetare. Nga historia kishte mësuar se ajo kala ishte bërë barrierë e pathyeshme përballë sulmeve të hordhive turke. Më tej, diku pa devijimin e rrugës që të çonte në aeroportin e Rinasit. Vetëtimthi i erdhi në mendje ëndërra e tij për t’u bërë aviator. Edhe pak kilometra dhe autobuzët hynë në qytetin e Tiranës. Kishte arritur në kryeqytetin e vendit. Rruga e Durrësit me pallatet e bukur anash saj, sheshi i madh me emrin “Skënderbeg”, kulla e sahatit, e ndalimi tek agjencia, pikërisht diku aty në afërsi të kullës.Pastaj udhëtimi me autobus urban deri në shkolla “Skënderbej”. Dikur qyteti i Shkodrës i ishte dukur i madh e kishte bërë muaj e vite për ta njohur. Tirana po i dukej e pafundme dhe gati e pamundshme për t’u njohur nga ana e tij.

Kuptohet, këto ishin përshtypjet e para, të një të riu, që sapo kishte lënë prapa bjeshkët e veriut e po zhytej në jetën e kryeqytetit të vendit. Jeta në shkollë ushtarake kishte rregullat e veta e edhe kufizimet e mundësive për të dalë në qytet. Sheshet e transhetë e stërvitjes ishin kodrave e luginave nga ngjiteshe për në Malin e Dajtit, ku atë e tërhiqte ndërtesa e bukur e Kinostudios “Shqipëria e re”, tempulli ku hynin artistët që luanin në ata filma që ata i shikonin në mënyrë të programuar në fundet e javës në shkollë. Madje disa prej tyre filloi t’i shikonte edhe në kinematë e kryeqytetit, në orët e liridaljes. Kur ndalej para reklamave me ndonjë shok, habitej sa shumë kinema kishte Tirana e ata duhej të zgjidhnin filmin që do shikonin e orarin e përshtatshëm që pastaj të ktheheshin në kohën e duhur në shkollë, pa thyer disiplinën e saj.

Muajt e vitet kalonin. Ai hidhte shtat e falë stërvitjeve e kalitjes ushtarake, por edhe tipareve të trashëguara prej malësori, po formonte një fizik që binte në sy e uniforma e bënte të spikaste edhe më shumë. Ishte ajo moshë kur të rinjtë fillojnë dhe e admirojnë ngapak vetveten para pasqyrës, një dukuri e natyrshme për të gjithë. I qëlloi një ditë kur ishte në qytet në liridalje dhe kishte prerë biletë për të hyrë për herë të parë në sallën e Teatrit Popullor. Ishte ndalur përpara xhamit të një dyqani e po rregullonte kapelen ushtarake dhe fundin e gjimnastiorkes, kur dëgjoi një zë femëror nga pas: Mos u shiko, se boll i bukur je. Ktheu kokën e pa dy gjimnaziste që po kalonin trotuarit duke qeshur. Njëra prej tyre i kishte hedhur një batutë që e bëri të skuqej.

Vitet e shkollës së mesme ushtarake kalonin njëri pas tjetrit. Ndueja kishte një angazhim serioz në të gjitha disiplinat dhe në lëndët mësimore e pedagogët shikonin se si formohej tek ai figura e vërtetë e një oficeri të ardhshëm, me bagazhin e nevojshëm të njohurive kulturore e ushtarake. Në vitin e fundit ai ishte formuar tërësisht nga ana fizike e binte në sy mes moshatarëve për shtatin e lartë e karakteristikat e tjera fizike që e evidentonin.

Ishte viti 1958. Ndueja, djalosh 18-vjeçar, po mbaronte shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Alternativa për më tej ishte vazhdimi i shkollës së bashkuar të oficerëve. Por tek ai flinte edhe dëshira e hershme për t’u bërë aviator. Këtë gjë e kishte biseduar edhe me shokë si Sami Guzina, Ndoc Selimi apo Albert Shkurti. Në atë kohë në shkollë kishin filluar të dukeshin disa specialistë sovjetikë të aviacionit. Flitej se do të bënin seleksionime e do të zgjidhnin një kontigjent për t’i dërguar për studime në shkollën e aviacionit në Moskë. Pa dyshim, atyre u kishin rënë në sy edhe rezultatet në mësime e tiparet fizike të Ndue Logut. Dhe një ditë e thirrën në provat test që bëheshin për aviatorët e ardhshëm. Ndueja i kapërceu ato me sukses e të gjithë parametrat e nevojshëm fizikë i kishte në rregull. Specialisti sovjetik që ndiqte provat, i rrahu shpatullat me simpati dhe i tha: – E di që mesatarisht në botë vetëm një ndër 10 mijë djem i plotëson kushtet për t’u bërë aviator? Ndueja shtangu për një moment. Kjo pyetje ju duk sikur po ja priste krahët ëndrrës së tij. – E ti je një nga ata,- vazhdoi duke buzëqeshur specialisti.-Urime!

Ndueja doli duke fluturuar nga salla. Në oborr takoi disa nga shokët e tjerë që kishin kaluar me sukses provën. -Ne do të bëhemi aviatorë, – u tha atyre me entuziazëm.- Do të fluturojmë, ja kështu, si shqiponjat dhe hapi krahët duke i imituar ato. –Kështu fluturojnë me të vërtet, i kam parë disa herë me vëmendje në Mal të Jezercës e në Qafë të Agrit. Nuk përmbahej nga gëzimi. Po niste ëndrra e tij për t’u bërë një shqiponjë e ajrit. NË MOSKË

Ajo ishte një ditë e veçantë. Ndue Logu dhe shokët e tij që do të niseshin për në shkollën e aviacionit në Bashkimin Sovjetik, qëndronin në hollin e aeroportit të Rinasit, në pritje të kryerjes së formaliteteve të fundit përpara nisjes. Përpara syve kishin fushën e Rinasit me pistën e aeroportit. Avioni ishte aty në pritje. Zakonisht nga Rinasi fluturonin pak avionë, më shumë për në vendet e europës lindore, që bënin pjesë në kampin socialist. Kryesisht udhëtonin delegacione të partisë dhe të shtetit. Po Ndueja nuk e vriste shumë mendjen për këto. Emocionet e tij përqëndroheshin diku gjetkë. Ja, në atë avion të kompanisë sovjetike, ai pas pak do të ngjitej si pasagjer. Kurse, brenda tre vjetësh shkollë aviacioni, ai do të ishte pilot, do të ngjitej mbi avion jo si pasagjer, por si drejtues i tij. E ndjente veten vetëm pak hapa larg ëndrrës.

Ja edhe momenti i shumëpritur i nisjes. Për Nduen ishte magjepsës.Në pak çaste avioni u shkëput nga toka, pista dhe fusha e blertë dukeshin si një tapet i gjelbër, që zvogëlohej gjithnjë e më shumë, pastaj malet e sa hap e mbyll sytë atdheu mbeti pas. Fluturonin mbi hapësirat europiane, mbi atë që quhej kampi socialist. Ndueja, nga dritarja shikonte retë që formonin një det të bardhë të dallgëzuar. Vetëm herë-herë ato sikur shqyheshin e poshtë dukej dekori i egër i maleve, që i sillte në mendje vendlindjen e tij, Dukagjinin.

Qyteti i Moskës u shpalos i madh, gati sa nuk i dukej fundi. Edhe aeroporti me pistat e shumta e me numrin e madh të avionëve, ishte i pafund.Para tij aeroporti i Tiranës dukej si një ngastër e vogël toke. Nga aeroporti i morën me një autobus ushtarakësh dhe i shoqëruan në një qytet të vogël në periferi të Moskës. -Këtu jeni në zonë sekrete ushtarake,-ju tha njëri nga ushtarakët sovjetikë me uniformë të bukur aviatori, që i shoqëronte.- Asnjë fjalë për vendndodhjen, për emrin e shkollës, të vendeve ku do të stërviteni. Që sot jeni efektiv i shkollës së aviacionit sovjetik e sekreti ushtarak është një nga normat themelore,-iu tha ai.

Ishte viti 1958. Ndueja kishte dëgjuar në bisedë me disa miq në Shkodër që disa re kishin filluar të shfaqeshin në marrëdhëniet midis Shqipërisë e Bashkimit Sovjetik. Por ai nuk donte t’i bisonte. Nuk donte që ëndrra e tij të shuhej që pa nisur akoma. Ato biseda ju kujtuan kur pa këtë atmosferë me ftohtësi sekretesh. Por nga ana tjetër ai ishte ushtarak dhe mendoi se kjo është normale për një shtet që ishte epiqendra e kampit socialist. E aq më tepër për një shkollë që përgatiste aviatorë. Vitet e shkollës rridhnin me shpejtësi. Ndueja me shokët e vet shqiptarë tregonin një zell të madh në përvetësimin e sa më shumë njohurive në artin e aviacionit. Aty kishte studentë edhe nga vende të tjera të kampit socialist, si Çekosllovakia, Bullgaria, Hungaria e të tjerë e me kalimin e kohës kishin zënë miqësi. Ashtu siç kishin zënë miqësi edhe me studentë rusë të aviacionit.

Ndueja kishte ecur mirë me rusishten që kur ishte në shkollën “Skënderbej” e gjithnjë e më shumë e perfeksiononte atë në të folur e edhe në të lexuar të librave të ndryshëm. Krahas librave metodike të shkollës, atij i pëlqente të lexonte edhe letërsi ruse, autorët e së cilës i pëlqenin shumë. Një studente e Akademisë së Arteve të Moskës, që ishte miqësuar me grupin e djemve shqiptarë, i rekomandonte dhe i sillte herë pas here libra të autorëve të ndryshëm në prozë e në poezi. E Ndueja i lexonte me ëndje e pasion. Ajo i ftonte herë pas here, në kohën e liridaljes edhe që të bënin shetitje në kryeqytetin e kampit socialist.

Moska. Sheshi i Kuq. Kremlini, ku rrinin pushtetarët e lartë autoritarë sovjetikë… Ndues këto i dukeshin si ëndrra në fillim, por pastaj filloi të mësohej pak nga pak me qytetin e madh. Një mbrëmje mikja e tyre u tha që u kishte siguruar bileta për të ndjekur një shfaqje në teatrin “Bolshoj”. Ishte një nga mbrëmjet më magjike që pilotët e ardhshëm shqiptarë kishin përjetuar. Kësisoj, me studime, stërvitje të shumta e përshtypje nga shteti i stërmadh sovjetik, javët, muajt e vitet kalonin me një shpejtësi të çuditshme.Ndueja tregonte një zell të madh në njohjen e tërë llojeve të avionëve, të teknikës së drejtimit të tyre, por edhe të ndërtimit të tyre teknik. Për të ishte kënaqësi më vete kur vinin orët e praktikës në fluturim. Sytë i lëshonin dritë si të shqiponjës, vihej në kabinën e në pultin e drejtimit dhe lëshohej me kënaqësi hapësirave të pafundme ruse, me pejsazhe sugjestionuese. Në një nga këto stërvitje, ai iu drejtua si pa të keq instruktorit sovjetik dhe e pyeti se ku kishte rënë disa vite më parë kursanti shqiptar Qemal Mërtiri, që kishte pësuar aksident me avionin gjatë fluturimeve stërvitore. Por instruktori iu përgjigj se nuk e kuptonte përse bëhej fjalë e që në aviacionin e lavdishëm sovjektik nuk ndodhnin aksidente të tilla.

Ishte thuajse periudha e fundit të studimeve dhe Ndueja me shokë e ndjenin që atmosfera ishte bërë më e ftohtë ndaj tyre. Korekte, por më e ftohtë. Mësimet e stërvitjet vazhdonin normalisht, si më parë, por ishte ajo ndjenja e miqësisë që dukej sikur kishte marrë diçka nga dimri rus. Edhe ajo studentja e Akademisë së Arteve vinte si më rrallë e nuk shfaqte më interesin e dikurshëm për Shqipërinë e vogël. Dikush nga ambasada shqiptare në Moskë ju tha studentëve që të ishin të kujdesshëm, ta ruanin miqësinë por t’u ruheshin provokimeve, e sidomos të kishin kujdes në miqësinë me vajzat, që ajo të mos shkonte më tej se në miqësi. Ata morën vesh që në Moskë ishte bërë një mbledhje e Partive Komuniste të kampit socialist dhe Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim që përmbante kontradikta ideologjike me udhëheqjen sovjetike. Madje Enver Hoxha e kishte braktisur mbledhjen përpara përfundimit të saj. Ishte dimër i egër dhe pas disa muajsh ata do të mbaronin shkollën e aviacionit e do të ktheheshin në atdhe pilotë të vërtetë, për t’u vënë në dispozicion të aviacionit shqiptar.