Melaize Gropa

Jam dhe unë si ti

Ky mëngjes i kësaj pranvere të vonuar më buzëqeshka ëmbël. Troket lehtas në xhamin e zbehtë, nën hijen që dimri la pas. Rrezja e diellit më ngroh jo vetëm lëkurën. Jeta ecën rrugës së saj duke marrë me vete hare lumturi, por edhe lotë. I shoh, i dëgjoj, i ndiej. Marr me vete shpirtin dhe udhëtoj rrugicës sime. Dita më buzëqesh fshehtas, por unë di ta ndiej frymën e saj të paqtë. Eci dhe rruga ime i bashkohet një rruge të madhe, aty ku dëgjohen mijëra simfoni jete. Janë tingujt e një vajze shtatshkurtër e me sy të kristaltë, me një aparat fotografik në dorë. Ajo artikulon me vështirësi fjalët. Buzëqesh me ëmbëlsi teksa sheh fytyra të ngërdheshura që kthejnë kokën përbuzëse dhe shkrep një foto. Sa çudi! Foto magjike. Fytyra ëngjëjsh që kanë marrë mbi flatra gëzimin e saj. Pranverë me sythe të sapoçelur që i japin hare e lumturi. Kështu është bota e saj. Dhe dhuron atë frekuencë kujtimi, hedhur mbi foto me mbishkrimin: “Unë jam si ju”. Vazhdoj ritmin e ditës sime, ku tinguj të tjerë i shtohen melodisë së jetës. Tinguj të jetës së një të verbri. Sa çudi! Tinguj të një qetësie të kristaltë, larë nga loti. Melodi që intrigon imagjinatën. Por ajo muzikë shkon përtej saj. Nota që flasin pa dritë, por me ngjyrat më të shndritshme të ylberit, praruar me drite hyjnore. Mirësi që fshihet nën syzet e errëta por që ka prekur shumë zemra. Mirësia nuk shihet, ndjehet. Dhe ai, bashkudhëtari i kohës sime ecën nën petkun e mirësisë me të birin që e shoqëron kudo. Në heshtje thërret: “jam dhe unë si ti”. Ka momente jetës që përplasen me njëri-tjetrin, enkas për të na zgjuar nga egoja e për të parë përtej asaj që na shohin sytë. Për të marrë sytë e mendjes dhe për të parë e dëgjuar kur një zë ndryshe nga zëri ynë thërret: “jam edhe unë si ti”. Përgjigju! Po, je si unë dhe ndoshta më i mirë se unë…