Luljeta Dushi

KISHA E SHËN SHËLBUEMIT, Velë


Kisha e Shën Shëlbuemit përmendet në dokumentacionin historik që në shekullin XVII. Ipeshkvi i dioqezës së Arbërisë, Mark Skura duke përmendur kufijtë e dioqezës së Lezhës në vitet 1636 thotë se ky kufi ngjitej “nga shkambi pranë qytetit të Lezhës deri te Shelbuemi i Veljes”. Në një letër tjetër të vitit 1644, po ky Ipeshkëv shënon se kisha e Veljes bënte pjesë në territorin e Krujës. Në shek. XX, ajo është rindërtuar nën kujdesin e austriakëve. Siç shkruhet në librin “Monumente historike të kultit të krishterë në dioqezën e Lezhës”, mbi themelet e kishës së vjetër, tani është bërë një restaurim. Sot nuk ruhet asnjë element arkitektonik i vjetër ose gur mbishkrimor. Kjo kishë ka të njëjtën planimetri si kisha e Mërçisë dhe ruan të njëjtin model, përsa i përket përdorimit të portave binjake për burra dhe gra. Dy kambanat e kishës janë ruajtur të fshehura dhe pas lejimit të ushtrimit të besimit fetar, i janë dhuruar kishës. Njëra ndodhet në brendësi të kishës dhe tjetra është vendosur në degën e një lisi para derës së kishës. Të dyja kambanat mbajnë dedikime dhe datën e tyre të prodhimit, vitin 1914. Këmbana e parë mban këtë mbishkrim:
N’SHPERBLIM PER GJAAT SHEL / BUEMIT T’VELËS MARUN N’VJETË / 1910, PREJ USHTRIES S’TURKUT / U SHKRI ME ZELLË T’D. NIKOLL / KIMEZËS N’T’DYTIN VJETË T’LIRIES/ 1914.
Mbishkrimi i këmbanës së dytë është një lutje:
ZOT PSHTONA MORTAJET / UJET E LUFTET/ 1914.