Cikël me epigrame nga Viron Kona

Ajri është plot nerv e gaz

Sherrit shmangu, iu largo,
ajri është plot nerv e gaz,
një fjalë kot dhe e nxituar,
shkëndijën e ndez në çast.

Harrove të tjerët

I shkele ata që kishe përpara,
i godite ata që ishin më lartë,
me bërryla dhe me shkelma,
në të djathtë e në të majtë…
Për diçka s`të vajti mendja:
për të tjerët që t`vinin pas…

Thashethemet

Thashethemet janë si retë,
njolla-njolla mbulojnë qiellin,
por, kur ndodh që bëhen bashkë,
ia arrijnë t`mbulojnë dhe diellin.

Deri kur?

E ngarkuan me famë dhe lavdi,
e bënë edhe kalorës të parë,
ti ende gulçon pas tij,
deri kur do t`hiqesh zvarrë!?

I ngjitur

Je bërë i “famshëm”,
duke iu ngjitur pas anijeve madhështore,
herë si midhje e zezë, herë si gaforre.

Qafiri

Shuhet zjarri,
mbetet hiri.
Pas betejës,
mbërrin qafiri.

Përfitim nga mirësia

Kur pëllumbesha ngrohte vezët,
qyqja, vezën e saj i lëshoi në fole,
pëllumbesha e dhembshur s`bëri zë,
bashkë me të sajat çeli dhe vezën e re.

“Kuu-kuu” -thirri qyqja,-ç`fat i shkëlqyer!
këtej e tutje do të bëj qejf në jetë,
jetën e vogëlushëve të mi të dashur
shpendëve të tjerë po ua lë amanet!1)
1).Qyqet nuk ndërtojnë fole të vetën, por të vetmen vezë e lëshojnë në foletë e zogjve të tjerë.

Piedestali “bosh”!

Kur diktatorin e tërhiqnin zvarrë,
e pështynin dhe e zhgërryenin me baltë,
“Mbreti vdiq! Rroftë mbreti!”1),-thoshte ky tjetri,
dhe e përfytyronte veten në piedestalin e lartë.
1).Thënie në oborret e dikurshme mbretërore “Mbreti vdiq, rroftë mbreti!”

Më keq e pëson!

Po e ngacmove qenin, të kafshon,
po e ngacmove grerëzën, të thumbon,
po e ngacmove gjarprin, të helmon,
po e ngacmove njeriun, më keq e pëson!

Siç përdor ti karremin për peshqit

Kujdes, kur të panjohur
të dehin me verë e raki,
siç përdor ti karremin për peshq,
ata peshkojnë mendime tek ty.

Vonë

Mos shkruaj gjëra të dyshimta,
se mot e jetë mbeten aty,
kur një ditë bëhesh pishman,
s`i heq dot, janë bërë dëshmi.

Mos fol pa mend

Mos i jep shumë gojës,
mos fol fjalë pa mend,
dikush po pret rastin,
t`i përdor në dëmin tënd.

Ligje

S`mund të jenë të drejta,
qoftë dhe në demokraci,
ligjet që prodhojnë dhunë,
uri dhe pasiguri.