Pse, ka Shqipëria qytete të lashtë?

Suedezët befasohen nga pastërtia në hotelet e Mangalemit

Nuri Dragoj

Në mesnatën e datës 22 qershor, mbërritën në Tiranë 4 shkrimtarë suedezë. Anna Matsson, poete, shkrimtare, anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë, perkthyese e veprës së Astrid Lindgren ne gjuhën Kmere; Kristin Bjarndotter, poete, shkrimtare në gjuhën suedeze dhe inslandeze, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të rajonit të Göteborgut. Dy prej miqve janë me origjinë shqiptare. Sokol Demaku, poet, publicist, gazetar, shkrimtar dhe përkthyes, njëkohësisht kryetar i Qendrës Kulturore Migjeni në Borås të Suedisë dhe Hamit Gurguri, shkrimtar, përkthyes, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Göteborg.
Në ora 10 të datës 23 u ndodhëm midis tyre në mjediset e hotel Livia. Qenë të pranishëm Viron Kona, Zyhdi Dervishi, Nuri Dragoj, Murat Gecaj, Kadri Tarelli, Bashkim Saliasi, Ariola Prifti… Takimin e hapi shkrimtari Sokol Demaku, i cili foli për rëndësinë e shkëmbimit të kulturave midis dy popujve, punën e madhe që bënë Qendra Kulturore Migjeni dhe Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar në Suedi.
-Ne jetojmë në Suedi, – tha Demaku, – por e dimë që jemi ardhacak, ndonëse kemi fatin që banojmë në një vend ku dëgjohet fjala e lirë. Suedezët pyesin për emrin që ne i kemi venë qendrës “Migjeni” dhe ne u tregojmë se Migjeni është shkrurtim i emrit Millosh Gjergj Nikolla, poet i shquar në vitet ’30, të shekullit të kaluar, që i ka kënduar mjerimit. Kur mësojnë një gjë të tillë, ata nuk ndihen mirë, pasi e kanë kaluar fazën e mjerimit kohë më parë dhe fjala mjerim i trishton. Por kulturën e duan dhe e ndjejnë. Kryetari i Bashkisë së Lezhës, një vit më parë, na dha për dhuratë simbolin e Beslidhjes së Lezhës. Atë stemë e mban bashkia e atij qyteti. Kujtimin e marrë prej tyre, Qendra Kulturore Migjeni në Suedi, ia dhuroi Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë, në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Dhurata bëri shumë jehonë dhe u shoqërua me duartrokitje. Stema u vendos në zyrën e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë, në Stokholm.
Hamit Gurguri theksoi se shkrimtaret suedeze erdhën me dëshirë në Shqipëri, dëshirojnë të krijojnë ura lidhjeje midis poetëve e shkrimtarëve shqiptar, gjë që do të ndikojë pozitivisht në shkëmbimin e kulturave dhe integrimin e shpejt të shqiptarëve me banim në Suedi. Pas vizitës ato do të thonë fjalën e tyre, mund të shkruajnë në gazeta apo krijime vetiake, punë e tyre. Ne nuk ndërhyjmë, por duke ditur se shqiptarët janë mikpritës, shpresojmë që fjalët e tyre të jenë pozitive dhe të japin ndihmesën e vetë në njohjen e virtyteve të kombit tonë në Suedi e më gjerë.
Kristinë Bjarndotter vuri në dukje se janë të interesuar për të mësuar për kulturën e të huajve që vijnë në Suedi, pasi e dimë që për shkak të mos njohjes së gjuhës, e kanë të vështirë të shfaqin vetveten. Hasim në vështirësi për të ngritur ura të përbashkëta komunikimi, pasi emigrantët ekonomikë apo politikë që jetojnë në Suedi flasin gjuhë tjetër dhe ndihen të huajë, të rezervuar. Natyrisht që takime të tilla, ndihmesa jonë për ta dhe këmbëngulja e tyre për të shkurtuar kohën për mësimin e gjuhës suedeze, do të ndikoj pozitivisht në shpejtimin e integrimit.
Anna Matsson mendon se të huajtë ndihen të lodhur nga moria e pyetjeve që u bëhen, si kush je, nga je, çfarë gjuhe flet, pse ke ardhur, me se do të merresh…? Pra kanë dhe ata përjetimet e tyre, herë pozitive dhe herë negative, të cilat duan kohë të fashiten.
I falenderuam shkrimtaret suedeze dhe uruam që, kur të largohen nga Shqipëria, të marrin me vete përshtypje të mira. Ka ndodhur që vijnë vizitor të huajë plotë me ngarkesa negative dhe kur largohen, marrin me vete përshtypje pozitive. Ne mësojmë nga shkrimtarët suedez, nga zemra e madhe e popullit të tyre, gjë që e kanë treguar edhe me sjelljen ndaj shqiptarëve, pasi është vend i zhvilluar dhe me demokraci të konsoliduar. Poetët dhe shkrimtarët shqiptarë sapo kanë shkelur në ditët e demokracisë, pasi vijnë nga një shtet i mbyllur, ku mungonte liria. Këto 27 vite tranzicioni nuk janë të mjaftueshme për ndryshime esenciale, megjithatë arritjet janë të mëdha. Në sistemin komunist shkrimtari ka qenë i kufizuar, i censuruar, detyrohej të shkruante sipas kornizave të sistemit. Ata që guxuan dhe dolën nga korniza e caktuar prej partisë-shtet, u burgosën ose u pushkatuan. Tani numri i shkrimtarëve është rritur dhe ata janë të lirë. Në këtë mori botimesh ka libra me nivel të lart artistik, por dhe libra të dobët. Sot poetët e shkrimtarët janë kritikë ndaj letërsisë së realizmit socialist, pasi ishte e kornizuar dhe pranonte tre lloje personazhesh, një të mirë, një të keq dhe një që ndreqej.
Nëse shkrimtari është i lirë, në publicistik ndihet ende forca e censurës dhe autocensurës, ndonëse ka gazetarë që janë kritik ndaj qeverisë. Ka raste që janë pushuar nga puna, por ende ka shumë gazetarë që rezistojnë. Organizohen emisione investigative që e vënë para përgjegjësisë qeverisjen në gabimet e saj, e cila shoqërohet me rritjen e presionit të gazetarëve ndaj qeverisjes, duke ndikuar në rënien e dhunës ndaj shtypit.

Berati i një mbi një dritareve mahnit shkrimtaret suedeze

 

Miku ynë, poeti Arben Jaupaj, pati menduar që strehimi të ishte në lagjen Mangalem, në shtëpitë-hotel. U ngjitëm malores së gurtë, përballë urës që lidh lagjen Goricë me Mangalemin, ku na priste zonja e shtëpisë-hotel. Kristin Bjarndotter pa me habi portën e madhe të harkuar, derën e saj prej druri, një mekanizëm që ngrinte llozin e brendshëm dhe ndihmonte në hapjen dhe sigurinë e saj. Anna Matsson qe përqëndruar në korridorin midis mureve të gurtë, pastaj hynë në apartamentin-hotel dhe u befasuan me hapësirën e madhe të dhomave, antikitetin e tyre, gurët e armuar të mureve, sendet antike varuar në rrugica e dhoma. Mesi i dhomës mbulohej nga një qilim i madh, krevatët me çarçafë të bardhë si bora, që bënin kërr-kërr sa i prekje me dorë. Kurrë nuk kishin menduar se mund të gjenin pastërti të tillë në Shqipëri. Një dollap i vogël, i futur në mur me kanata druri e hapësirë të xhamtë, brenda të cilit qenë disa libra të vendosura me kujdes njeri pas tjetrit, libra në gjuhën shqipe dhe të huajë, kryesisht anglisht.
Pasi u shlodhëm pak, aty nga ora 9 e mbrëmjes, u drejtuam për në shetitoren e qytetit, shtruar me pllaka të gurta, rregulluar si jo më mirë dhe u ngjitëm në katin e sipërm të hotel Tomorit për një akullore. Nga aty shihej qartë lagja e Mangalemit. Shtepitë si të ngjitura njëra mbi tjetrën. Mbase ky është shkaku që Beratit i thonë “qyteti i një mbi një dritareve”.
Lumi Osum rridhte i qetë dhe tej, në fund të shetitores, është ndërtuar një urë-pasarelë, por moderne. Shërben për kalimin e këmbësorëve nga qendra e qytetit për në lagjen Goricë. Sipër kësaj lagjeje shtrihej një pyll i dëndur pishash, që kushedi përse, një numër i madh syresh qenë prerë dhe rrinin shtrirë njëri pas tjetrit, në atë faqe të pjerrët mali. Lagja, në pjesën e poshtme, kufi me rrugën nacionale Berat-Përmet, gati në këmbë të urës së Goricës, ka marrë emrin “lagja e sheshtë”, pasi vendi ku janë ngritur shtëpitë ishte i shtruar. Pjesa e sipërme e lagjes së Goricës shtrihej në një terren me pjerrësi të mprehtë. Numri më i madh i shtëpive qe me kpopshte dhe besohet se kjo pjesë e qytetit të Beratit është nga më të gjelbëruarat.
Ura e Goricës nuk shërben më për kalim makinash, por ruhet si monument kulture. Mbi të mund të kalojnë vetëm këmbësor. Me gjatësi 129.3 m dhe 5.3 m gjerësi, me 7 harqe që kanë hapësirë 9 deri në 16.7 m, ajo lidh lagjen Goricë me pjesët e tjera të Beratit. Ura ngrihet 10 m mbi shtratin e lumit dhe është ndërtuar në shekullin e 18, ndonëse është rindërtuar në vitet 1920-1930 dhe restaruruar gjatë vitit 2016. Fillimisht ajo është ngritur me lëndë drusore dhe, më pas, në vitin 1780, Ahmet Kurt Pasha e ndërtoi me gurë.
Sipër lagjes së Mangalemit shihen muret e lartë dhe të lashtë të kalasë, duke të krijuar përshtypjen sikur misioni i tyre është të ruajnë banorët e qytetit nga çdo e keqe e pabesi.
-Mangalemi duket si tablo fantastike, – tha poetja Anna Matsson. – Mbase është qytet i lashtë.
-Po, – i them, – është qytet 2500 vjeçar.
Ajo më vështroi më një farë dyshimi.
-Pse, ka Shqipëria qytete të lashtë?
Iu duk e çuditshme që në Shqipërinë e vogël të kishte qytete kaq të lashtë. Unë i buzëqesha dhe kjo mjaftoi për ta hequr atë perde të errët dhe të vijonte me pyetje të tjera.
Në mëngjes u ngritën shpejt dhe u drejtuam drejt bashkisë. Na priste kryetari i saj, Petrit Sina, nënkryetarja Teuta Abdyli Muçogllava dhe punonjës të tjerë. Sina e vlerësoi bashkëpunimim midis shkrimtarëve berates dhe atyre suedez, si vlerë të shëkmbimit të kulturave reciproke dhe afrimit të dy popujve. I të njëjtit mendim ishin dhe te miqtë. Aktiviteti u zhvillua në bibliotekën e qytetit që drejtohej nga poeti Arben Jaupaj, i cili bashkë me shkrimtarin Sokol Demaku, me banim në Suedi, monitoruan aktivitetin. Demaku foli për veprimtarinë e shqiptarëve atje, dhe në mënyrë të veçantë, për aktivitetin që kryen Qendra Kulturore Migjeni në Borås të Suedisë. Nxënëset e shkollës lexuan pjesë nga libri “Pipi Çorapegjata” të autores suedeze Astrid Lindgren. Pastaj folën shkrimtaret suedeze dhe mësues të gjimnazit. Margarita Zyka u përqëndrua në veprën e shkrimtares suedeze Astrid Lindgren, Anila Azizolli referoi për poeten Selma Lagerlof, ndërsa për prozën e shkurtër suedeze foli studiuesi Yzedin Hima.

 

Muret e kalasë tregojnë historinë

Ishte një i nxehtë përvëlues që të merrte shpirtin. Muret e lartë të kalasë e zbehnin forcën e njeriut. Pranë tyre të dukej vetja fare i vogël, gati i papërfillshëm. Brenda saj gjendej kisha e Shën Mëhillit. Punonjësja e bashkisë na këshilloi të shihnim muzeun e Onufrit, që është përshtatur në ambjentet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, brenda kalasë së qytetit të lashtë, vendosur aty më 27 shkurt të vitit 1986. Emri Onufër është i një prej mjeshtravë më të mëdhenjë të pikturës shqiptare të shekullit XVI.
Ciceroni shpjegon se kisha është ndërtuar në vitin 1797. Ka qenë katedralja e qytetit, përfaqësuesja më e spikatur e arkitekturës pasbizantine për Beratin. Koleksioni i muzeut përfshin 173 objekte, që janë përzgjedhur nga 1500 objekte, të cilat u përkasin kishave dhe manastireve të Shqipërisë. Prej tyre 106 janë ikona dhe 67 objekte liturgjike. Ikonobartësin e katedrales së Beratit e kanë gëdhendur në mesin e shekullit XIX, mjeshtër Naumi nga Lavdari i Oparit dhe Stefan Barka nga Mirasi i Oparit. Kompleksi muzeal përbëhet nga salla qëndrore e kishës, mjedisi i altarit si dhe nga një sërë mjedisesh ndihmëse, njëkatëshe në anën veriore, dhe dykatëshe në anën perëndimore. Në tri salla kryesore janë të ekspozuara veprat më të mira të autorëve Onufri, Nikolla I biri I Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Konstandin Shpataraku etj.
Vend të veçantë zënë dhe ikonat e vendosura në ikonostasin e praruar të kishës, që janë vepra të piktorit Joan Çetri.
Duke lëvizur nëpër mjediset e kalasë, na kumbonte në vesh jehona e fuqishme e lashtësisë, efekti i korentit të erërave që ndjehej aty, betejat e përgjakshme, rëniet dhe ringritjet e princërave që e kishin lidhur jetën me atë kështjellë. Hymë brenda saj me dëshirën për të parë sa më shumë mbishkrime, emra, data, por në gjithë atë mur gjigant nuk lexuam asgjë. Duket se vendin e gërmave e zinin format e gurëve, fortifikimet dhe pamja e përgjithshme e atij kompleksi gjigant, të cilët flisnin shumë për historinë, lashtësinë dhe qytetërimin e asaj kalaje shekullore.
Shkrimtaret suedeze hynë në kala dhe shëtisnin ngadalë në lagjen më të vjetër të atij qyteti. Është e vetmja kala në Ballkan, por thonë edhe në Europë, që banohet nga një lagje e tërë me disa mijë banorë, e cila ka marrë dhe emrin e kalasë. Brenda saj vizituam kishën e Shën Triadhës, atë të Shën Mërisë etj.
-Vendi ynë, – u tha Vironi shkrimtareve suedeze, – thirret me dy emra, mëmëdhe dhe atdhe. Mëmë ne quajmë nënën ose gjyshen, nënën e nënës, që është shumë e dhimbsur dhe e shtrenjtë. Kur i themi “atdhe”, lidhet me atin. Dihet që edhe babai është po aq i dhimbsur. Të dyja kanë kuptim të madh, por fjala mëmëdhe sikur ka një peshë tjetër, të prek në zemër, të mallëngjen, krijon lidhje më të fuqishme, të pazgjidhshme, si puna e mjaltit me hojet, të cilët nuk i ndan dot.
-Si zhvillohej tregtia në Shqipëri, në kohën e komunizmit? – pyeti Kristina.
-Marrëdhënie tregtare kishte vetëm me vendet e lindjes. Blerja e mallrave bëhej me klering, me shkëmbim mallrash. Ishte punë që kryhej nga ndërmarrjet shtetërore, jo nga individë, – sqaroi Vironi.
-Pse, nuk kishte biznese private?
-Asqë mendohej. A mund të ketë tregti pa kufij të hapur? Jo. Kjo dihet. Madje edhe njerëzit nuk mund të jetojnë pa udhëtuar, por në komunizëm mund të lindje dhe të vdisje pa parë asgjë përtej kufijve.

 

Debate për librin dhe botimin e tij. Edhe Suedia ka çfarë të korrigjoi

Diskutuam për rolin e shtëpive botuese dhe mundësinë e botimit të librit nga vetë autori. Professor Zyhdi Dervishit theksoi se me shtëpitë botuese ka probleme, pasi ato nuk kanë personalitetin e duhur. E rëndësishme është të kesh recenzentë dhe redaktor të mirë. Tekstet e tij për shkollën e mesme janë botuar prej një shtëpie botuese që ka qenë shtetërore dhe më pas është privatizuar. Por e sheh veten me fat që ka punuar me dy redaktor të mirë. Për poezinë ka patur Pandeli Koçin, poet i njohur dhe mjeshtër i redaktimit.
Viron Kona shpjegoi se para vitit 1990, botimi vendosej nga shtëpia botuese dhe autori priste me ankth botimin e librit. Pas vitit 1990, mund të botojë kush të dojë, por sërish është tregu që vendos. Për librat që u shërbejnë nxënësve të shkollave, vendosin komisione të caktuara. Ndërsa për libra të tjerë, varet nga shitja. Kështu p.sh., libri im Bubuliono, më është shitur në një librari të plazhit të Durrësit më shumë ngasa mendoja. Librashitësi kërkon t’i dërgoj libra vazhdimisht. Fillimisht i dhashë 50 kopje me mendimin se nuk do të shiteshin, por në fakt u shitën shpejt dhe më kërkoi 100 të tjera. Ai ka shitur 5000 libra në dy vjet, vetëm në plazh. Mua më ka befasuar me këtë shitje, duke më thënë se është libër që kërkohet dhe shitet. Madje kam marrë mesazhe dhe nga qytete e fshatra të Kosovës.
Kristinë Bjarndotter bëhet pjesë e debatit për shtëpitë botuese. Jep mendimin e saj por tregon se çfarë ndodh edhe në Suedi, ku ka veprime që nuk shihen të arsyeshme.
-Në Islandë, – tregon ajo, – librin e parë çdo poet e boton vetë. -Del në rrugë dhe shet librin për të krijuar autoritet dhe të fitojë emër. Organizon mbrëmje letrare ku lexon poezitë e tij para të pranishmëve. Një poete me emrin Elasibet, në Islandë, ka fituar çmimin për kulturën për gjithë vendet nordike, me një libër me poezi, të cilin e ka botuar vetë, pa miratim të shtëpive botuese. Për mua kjo ëhstë gjë e mirë. Në Suedi nuk të vlerësojnë për librin e botuar vetë. Nominohet për çmim vetëm në rastet kur libri botohet nga shtëpia botuese. Është e nevojshme që dhe në Suedi të korrigjohet një gjë e tillë.
Unë sqarova se në Shqipëri, nuk mund të botohet libri pa miratimin e shtëpisë botuese, pasi vetëm ajo ka të drejtë të marrë ISBN. Nëse botohet pa miratimin e saj, atëherë libri nuk mund të arkivohet, nuk pranohet nga bibliotekat, pasi bibliotekat marrin vetëm librat që dalin nga shtëpitë botuese.

Nën shoqërinë e profesor Zyhdi Dervishit

Profesor Zyhdi Dervishi u tha që në fillim miqve suedezë se do të ishin të ftuar prej tij, ndaj sapo mbaroi takimi u nisëm drejt Patokut të Laçit për të drekuar në një lokal peshku, pranë lagunës. Profesor Dervishi është i njohur për lexuesin, por mund të nënvizojmë faktin që ka mbaruar studimet në vitin 1981 në Universitetin e Tiranës, me medalje ari, gjë për të cilën e mbajtën në fakultet. Ishte rasti i parë që merrej medalje e artë. Aty patën kryer studimet shumë fëmijë të anëtarëve të byrosë politike, por nuk kanë mundur të merrnin medalje të tillë, gjë që tregon se vlerësohej rezultati. Zyhdiu u jepte mësim studentëve që ishin një apo dy vite më të vegjël se ai. E ka mbrojtur doktoratën brenda 4 viteve. Tema e zgjedhur porej tij bënte fjalë për intelegjencën shqiptare të viteve 1930-1960. Atëherë punonte për problemet e kulturës dhe njihte disa botime të autorëve amerikanë. Në vitin 1988 botoi librin e tij të parë. Por pavarësisht rezultateve, në vitet e demokracisë mbeti disa kohë pa punë. Shkroi një libër për shkollat e mesme, por nuk kishte të drejtë pune. Ndërsa pedagogët shpjegonin librin e tij, Dervishi nuk lejohej të jepte mësim.


Edhe i ati ka qenë mësues. Ka marrë pjesë në luftë kundër pushtuesve. Shkolla e Budullit mban emrin e tij, si mësues i parë i saj.
Në vitin 1993, në Fakultetin e Shkencave Sociale u hap Dega e Sociologjisë ku filloi punë si pedagog, për të mos u shkëputur më prej andej. Ka shkruar 18 libra, kryesisht të profesionit, por edhe poezi. Ka nisur të shkruajë që në vitin e dytë të gjimnazit, ndonëse kishte prirje për matematikë. Ishte i vetmi që shkoi nga metematika në sociologji. Në poezi trajton probleme sociale por me përmbajtje filozofike. Ka botuar 4 libra me poezi pas vitit 1999. Tani ka në dorë vëllimin e pestë. Poezia në Shqipëri nuk tërhiqet shumë, ndërsa librat sociologjik kanë shitje të madhe.
Pas kësaj u drejtuam për në Krujë. Vizituam muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili është ndërtuar në kështjellën e Krujës, në vitin 1982, me arkitekt Pirro Vaso e Pranvera Hoxha. Ai personifikon disfatën e ushtrisë osmane për tri herë me radhë në shekullin e XIV dhe XV, në sajë të qëndresës shqiptare dhe në të janë ekzpozuar dhjetra objekte prej qeramike, hekuri, bronxi, shpata origjinale e shekullit XV, këmbana e vitit 1462, faksimile dhe ikona origjinale. Kalaja e Krujës zë një sipërfaqe prej 2.5 ha dhe kërkimet arkeologjike provojnë se ajo është banuar që në shekullin e III para erës së re, ndonëse kalaja është ndërtuar në shekullin V-VI të erës së re.