Me poeten: Ollga Selman

Ollga eshte botuese e disa librave,punon dhe jeton ne qytetin e Lushnjes.

Krijimet e saja jane te mirepritura nga lexuesit,krijimtaria e Ollges zene fille qe nga vitet e femijeris.

Ka botuar tre libra me poezi,ka disa te tjere te gatshem per botim.

Nuk me mbetet tjeter vetem Ollges ti uroje suksese ne rrugen e bukur te krijimtaris poetike.

Gjin Musa,gazetar

 

Ata që zhurmë mbanin brënda

 

Ky shesh, ka mbetur, fare bosh,

pa asnjë pikë, pa asnjë presje,

me gjysma fjalësh, pa zanore,

me një shqiptim, ashtu, të zbehtë .

 

Ndonjë pasthirrmë, hera herës,

është e harruar, nëpër qoshe .

Kur era fryn, e mer përpara,

siç meren qeset, mbetur boshe .

 

Seç ka një boshësi, ky shesh,

që kur mungojnë, të pakthyerit,

ata, që zhurmë mbanin brënda

edhe atëherë, kur flinte shpirti .

 

Takimi me Poseidonin

Kushedi, sa kohë kishte që më priste ?! Rrinte aty, aq madhështor .

 

Me tredhëmbëshin, në njerën dorë . Dora tjetër, mbi shkëmb, i qëndron .

U prekëm dhe vëndi oshëtiu . Nga takimi ynë, deti gjëmoi .

 

Hapej rruga para nesh dhe shkuma e bardhë, më verboi .

Ne nuk folëm asnjë fjalë . Ai, që fliste. qe deti .

 

Fliste oshëtima që ne lamë, nga takimi, me superzotin e detit .

 

Kthehen në legjendë

 

Këto rrugë, janë arkiva.

Në të dy anët, drurët e tyre, kanë shkruar,

në rrathët e tyre shekullorë,

historitë e njerëzve që janë dhe atyre që shkuan.

 

Me kalimin e kohës, këto histori , kthehen në legjenda,

që i këndojnë zogjtë, nga këto anë.

Në këngët e tyre të sapo deshifruara,

kanë filluar të dëgjohen, emërat tanë.

 

Dhe fjala që kemi në mes

 

Pas shiut, gjethet u bënë shkëlqimtare.

Erërat e lehta i shkrifërojnë,

degët e drurëve të rrugëve të mia,

mëngjeseve, tek shkel, mbi to.

 

Ndër hapa, lehtësisht, të njohur,

më shfaqen njerëzit, një nga një.

I njoh të gjitha siluetat,

e rrugës sime, përmbi të.

 

Ne jemi njerëz të një rruge,

që na bashkon ky qytet,

që na bashkojnë, këta krahë drurësh

dhe fjala, që kemi, në mes.

 

Si heshtje grash

 

Si heshtje grash, erdhën shirat,

pa asnjë zhurmë, pa asnjë bërtitje.

Mëngjesi zbardhi, i pa zëshëm

ndër qiej, zbritur qetësive.

 

Krejtë pa u ndier derdhen shirat,

mbi flokët e harlisura të grave.

Shkëlqejnë bulëzat mbi to,

si mbi krijesa fillestare.

 

Asnjë nuk e sheh

 

Merre natën, hedhur mbi dete,

pa mbërritur dita tek ne!

Merri zërat e pa dëgjuar,

nga koha që s’mbeti, aty ku qe!

 

Merri qiejtë, ndezur pa ndezur,

mos prit flakët, aty përreth!

Merri gjëmimet e qiejve të largët,

se fundin e qiellit, asnjë nuk e sheh.

 

Nxitohem rërës vetëtitur

 

Tej hapësirash të përflakura,

nga perëndimet e një dite,

në përpjekje për të marë diçka,

që bukur, jetës të m’i ngjitet

 

Nxitoj rërës vetëtitur,

nga diejtë, që u shuan për fare

dhe lanë pas, veç marramëndje,

përflakur në udhën e madhe.

 

Asgjë, nuk mbeti, përmbi det,

veç zhurmë e fikur e një dite

dhe ca imazhe që i mbledh,

si vargjet e një poezie.