Luljeta Dushi

KISHA E ZOJËS NUNCIATË- LEZHË (Kodër Marlekaj)

Të dhëna gojore të rëndësishme e vendosin fillesën e kishës së Zojës Nunciatë në vitin 1240. Në 1464 kemi dokumentin e parë historik që provon ekzistencën në Lezhë të një manastiri të Urdhrit të fretërve Minorë, që i përkiste kujdestarit të Kotorrit, pjesë e provincës së Dalmacisë. Kjo kishë nuk mungon asnjëherë në listat e ndërtesave të shenjta të qytetit të Lezhës, ashtu siç nuk mungon as manastiri në dokumentet e Urdhërit. Siç shkruhet edhe në librin “Monumente historike të kultit të krishterë në dioqezën e Lezhës”, ndërtimet e këtij kompleksi françeskan, kanë pësuar disa herë shkatërrine dhe zjarre, të cilat gjithnjë janë pasuar nga restaurime të pjesshme. Sulmi që ushtria turke e Muhamedit II kreu mbi Lezhë, më 1478, dëmtoi rëndë kishën dhe manastirin, por këto shpejt u rindërtuan me shpenzimet e vetë komandantit turk, Ibrahim Pashës. Viti 1897 shënon kompletimin me një këmbanare hijerëndë të kishës. Në fund të Luftës së Parë Botërore, në 1918, pasi e kishte përdorur manastirin si qendër shëndetësore, ushtria austriake, në tërheqje e sipër ndezi një zjarr shkatërrimtar. Në 1930, manastiri rindërtohet. Me vendosjen e ateizmit, kisha u bë stallë e më pas ofiçinë mekanike.


Punimet e rindërtimit në 1993-1997 i kanë kthyer brendësisë së kishës një pamje shumë pranë pamjes së vërtetë.
Duke hyrë në kishë mund të vërejmë se ndryshe nga pjesa ballore e jashtme, muratura nuk shfaq asnjë shenjë të ndonjë shtese ose riparimi. Ky fakt bën të mendosh për një unitet thelbësor strukturor të ndërtesës që ka arritur deri në ditët tona. Tipologjia e veçantë e kishës me një nef të vetëm të ndarë në dy zona, njëra e rezervuar për murgjit dhe tjetra për laikët, është përdorur gjerësisht si nga françeskanët, ashtu edhe nga domenikanët, në shekujt e parë të historisë së tyre.


Mbi bazën e vëzhgimeve të thjeshta të strukturave ekzistuese, historia arkitektonike e Kishës së Zojës Nunciatë, mund të sintetizohet në dy faza:
a. Shek. XIII (1240), ndërtohet kisha e parë, mjaft më e vogël se e sotmja, themelimi i të cilës nuk i atribuohet Urdhërit françeskan. Nga kjo fazë nuk ka mbetur asnjë gjetje e dukshme, edhe për faktin se nuk janë bërë kurrë gërmime arkeologjike poshtë dyshemeve të sotme.
b. Fundi i shek. XIV, gjysma e parë e shek. XV, Urdhri françeskan prej më shumë se 50 vjetësh i pranishëm në të gjitha qendrat e rëndësishme të bregdetit Dalmat deri në Durrës, ndërton në Lezhë një kompleks, të përbërë nga kisha dhe manastiri, që zë sipërfaqen aktuale.