Luljeta Dushi

KATEDRALJA E SHËN KOLLIT (Memoriali i Skënderbeut), Lezhë

Katedralja e Shën Kollit, e shndërruar sot në memorial për vendvarrimin e Skënderbeut, ndodhet në pjesën e poshtme të qytetit antik të Lissus-it.
Ndonëse rezulton si një objekt mjaft i hershëm, kjo kishë përmendet nga burimet mesjetare. Humanisti shkodran i shek. XV, Marin Barleti, ka vënë në dukje në mënyrë të qartë se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu “… u varros në qytetin Lissos, në kishën më të madhe të Shën Kollit”. Kjo kishë përmendet si kishë katedrale e qytetit edhe në raportet kishtare të gjysmës së parë të shek. XVII dhe më pas në literaturën e shkruar historike arkeologjike për qytetin e Lezhës gjatë shekujve XIX-XX.
Duke u nisur nga një material arkeologjik i shtresës së parë, që daton në shek. III pas Kr. mund të mendohet për ekzistencën e një ndërtimi pagan. Ndoshta për këtë arsye, ky vend shërbeu për mbivendosjen këtu të një objekti tjetër të besimit të krishterë mesjetar. Shtresa e dytë përfaqëson një ndërtim të periudhës bizantine. Përsa i përket aspektit arkitektonik, gërmimet arkeologjike sqaruan ekzistencën këtu të dy kishave paraturke të mbivendosura. Njëra prej tyre, rezultoi e shkatërruar deri në themele.
Elementi më shprehës, që e përfaqëson fazën e dytë ndërtimore është një fragment i harkuar, i vendosur mbi portën e hyrjes, ku janë gdhendur gjethe akanthi. A. Meksi mendon se ky fragment duhet të jetë me prejardhje nga një dritare e kishës së vjetër ose i takon një ciboriumi. Si të tillë, ai e daton këtë fragment arkitektonik përpara shek. XII.
Ky ndërtim kishtar paraturk, duket se ka vazhduar jetën deri kur u rrënua në mesin e shek. XV, për t’u ringritur përsëri në vitin 1459, gjendje e objektit kjo, që pasqyron periudhën kur është varrosur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Siç shkruhet edhe në librin “Monumente historike të kultit të krishterë në dioqezën e Lezhës”, nga zbukurimet e brendësisë së kishës ruhen fragmentet e një afresku që riprodhon një figurë shenjtori me veshje ipeshkvnore. Paraqitja e afreskut brenda një bordure valëzuese është lidhur me figurën e Shën Kollit, emër me të cilin lidhet edhe vetë kisha. Në fasadën e jashtme perëndimore të kishës, vërehen ende sot copa afreskesh të palexueshme , por që mjaftojnë për të na treguar se kisha duhet të ketë patur edhe një portik, gjurmët e të cilit janë zhdukur plotësisht nga shndërrimet e vazhdueshme.
Shtresa e tretë sqaron situatën pas pushtimit turk, kur kjo kishë mesjetare me themele paraturke u shndërrua në xhami. Zbulimi i varreve pranë altarit të kishës dhe boshatisja e tyre, është një fakt i përmendur edhe nga burimet historike. M. Barleti shënon se “… turqit dhe barbarët duke u bërë zotër të qytetit Lissos, gjetën dhe nxuarën nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e Skënderbeut.”
Në fillimet e shek. XVII kemi braktisjen e këtij objekti fetar nga besimtarët myslimanë. Në fundin e shek. XVIII, u ndërtua për herë të dytë xhamia Selimie, e cila më pas funksionoi si e tillë deri në vitet ’60 të shek. XX.
Ndryshimet që ndodhën në kishë, gjatë kthimit të saj në xhami, janë pasqyruar në mbylljen e absidës dhe në shkatërrimin e varreve të prelatëve të kishës. Në këto varre janë zbuluar një sërë objektesh arkitektonike të hedhura nga turqit gjatë shkatërrimit të kishës.