Kishat në dioqezën e Lezhës

Luljeta Dushi

Një ekspeditë arkeologjike me karakter njohës në dioqezën e Lezhës, u vu në kërkim të gjurmëve të vjetra të kësaj dioqeze. Këto kisha sot, ose janë rindërtuar mbi themelet e vjetra, ose janë ruajtur në trajtën e rrënojave. Ka edhe raste kur ato janë zhdukur fare, duke lënë pas vetëm emrin e tyre në kujtesën e banorëve. Rezultatet e kësaj ekspedite janë mbledhur dhe përpunuar nga Gëzim Hoxha, Luan Përzhita dhe Flavio Cavallini dhe janë botuar në librin “Monumente historike të kultit të krishterë në dioqezën e Lezhës”.
Me këto rezultate po njihemi në artikujt në vazhdim.


1. KISHA PALEOKRISTIANE MBI TERMËN ROMAKE- LEZHË
Një shembull i ri mjaft interesant ka dalë në dritë nga gërmimet e reja në hapësirën e qytetit të poshtëm të Lissus-it. Një godinë publike, nga periudha e hershme perandorake romake ka dhënë shenja mjaft domethënëse të një shndërrimi të saj në bazilikë paleokristiane.
Si termë, ky ndërtim është i datueshëm mjaft qartë si nga ana e tipologjisë ndërtimore, ashtu edhe nga materiali arkeologjik bashkëshoqërues i shekullit II pas Krishtit. Ai vazhdon të jetë i tillë deri në fillimet apo gjysmën e parë të shekullit V. Pikërisht në këtë kohë, shohim ndërhyrje të reja dhe përshtatje të monumentit, që dëshmojnë shndërrimin e tij në një kishë paleokristiane. Këto elemente të reja janë:
a. Shtimi i absidës në anën lindore;
b. Rishtrimi i dyshemësë me tulla të ripërdorura nga faza më e hershme e ndërtimit;
c. Ndërfutja në mjedis e një radhe kolonash për të ngritur lartësinë e ndërtimit;
d. Përshtatja e mjedisit të frigidarit në trajtën e një narteksi, sipas formës së njohur të kishave paleokristiane;
e. Orientimi i objektit me aksin kryesor lindje- perëndim;
f. Përdorimi i hapësirës së ndërtimit, në një kohë më të vonë për varrime.
Duket se pjesë të veçanta të termës janë përshtatur me mjaft kujdes në funksion të një ndërtimi paleokristian me planimetri pak a shumë kryqiforme. Frigidari përshtatet për narteks, tepidari shndërrohet në naos, caldari luan tani rolin e transeptit dhe konka jugore rivlerësohet si abside. Elementet e reja që shtohen, janë në shërbim të funksionit të ri fetar. Absida e re, në lindje të monumentit, plotëson mjedisin e sanktuarit, shtroja e re i përshtatet kishës, kolonat e ngrenë më në lartësi ndërtimin.
Të gjitha këto ndryshime përshtatjeje në këtë objekt, siç shkruhet edhe në librin “Monumente historike të kultit të krishterë në dioqezën e Lezhës”, ndodhin pikërisht në periudhën kur krishtërimi po zinte një vend të rëndësishëm në jetën e banorëve të qytetit. Ky lloj shndërrimi nga një termë publike në një objekt të kultit të krishterë është një dukuri e njohur për këtë kohë.