Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Suedi dhe e ardhmja e shqiptarëve

Nuri Dragoj

Çfarë kërkon Migjeni në Suedi? Në Borås të Suedisë është krijuar Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, e cila ka mbi 10 vjet që zhvillon veprimtari të shkëlqyer atdhetare e kulturore. Nismëtar i saj është intelektuali shqiptar, patrioti i devotshëm, njëkohësisht atdhetar e dashamirës i kulturës, Sokol Demaku. Bashkë me të punojnë pa u lodhur Hamit Gurguri, Bahtir Latifi e shumë të tjerë. Po përse është zgjedhur prej tyre, për të mbajtur emrin e kësaj qendre kulturore, pikërisht emri i poetit të shquar të viteve ’30 të shekullit të kaluar, Millosh Gjergj Nikolla?


Migjeni erdhi në jetë në muajin tetor të vitit 1911, kur kryengritjet antiosmane për një Shqipëri autonome ishin shpeshtuar dhe patriotët qenë ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e autonomisë së vendit të tyre. U lind në Shkodër, e cila një vit më pas do të pushtohej nga serbë e malazez, madje 5 muajët e parë të vitit 1913 do të mbytej në gjak, pasi mbreti Nikolla i Malit të Zi, kërkonte me çdo kusht ta bënte pjesë të vetën. Shqipëria u shkëput nga Perandoria Osmane dhe shpalli Pavarësinë, përmes një kaosi dhe anarkie të paparë, tepër e cunguar, duke lenë jashtë kufijve më shumë se gjysmën e territorit, duke mbartur mbi shpinë historinë më të dhimbshme ndër shtetet europiane. Por edhe në rininë e tij, Shqipërinë e nuk e linte të ngrihej hija e perandorisë, për pasojë do të qëndronte largë Europës, e qeverisur nga një monarki orientale, në të cilën edhe mbreti sillej si një sulltan i vogël. Atëherë Fan S. Noli do të kritikonte ashpër paaftësinë e qeveritarëve. Ti Halim që s’di këndim / Bëju vezir për arsim…Por edhe Migjeni do të shfaqte në mënyrën e vet zymtinë e jetës, ndonëse për të njëjtën shkak, në vjershën “Vjeshta në parakalim” ai godet që në rreshtin e parë: Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyrat tona. / Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli…. Dhe më tej vijon: Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme/ (dëshirë e marrë e gjetheve që një nga një vdesin!) /Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme, nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin. (Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), (Vepra, mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi, Slloveni: Gorenjski Tisk, 2002, f. 31).


Sokol Demaku zgjodhi Migjenin, sepse ai poet njihte mirë kulturën lindore e atë perëndimore, vihej në kërkim të botës shkencore, qe njohës i mirë i muzikës dhe qe i dashuruar pas pikturës. Ai u bë kundërshtar i padrejtësive dhe mjerimit në mënyrë të hapur dhe ishte nga të paktët që luftonte me forvë për lirinë dhe barazinë sociale, ndaj pati hyrë thellë në analizat e shkrimtarëve të shquar si Majakovski, Tolstoi, Dostojevski, Pushkini etj. Për njohjen e hendekut të krijuar në shoqërinë shqiptare mbase e ndihmoi edhe kisha, pasi shkuarja në të bëri që poeti të takonte shumë njerëz dhe të njihej nga afër me hallet e tyre. (Vasfi Samimi, Migjeni, jeta dhe vepra, në: Jeta dhe Vepra, gjurmime në shtypin turk, vol.16, Tiranë: Edlora, 2008, f. 214-216). Qenia mësues në Varkë të Shkodrës, si dhe në fshatra të tjera në veri të Shqipërisë, e ndihmuan të njihte mirë jetën e fshatarit dhe, për shkak të botkuptimit të tij, të njohurive të thella, dashurisë për lirinë, mbetet shkrimtari i vetëm në Shqipëri që e ka përcjellë me aq vërtetësi dhe dhimbje mjerimin e fshatarit.


Migjeni nuk pajtohej me euforinë e pushtetarëve dhe vetëlëvdatat e tyre, apo të racës së shkrimtarëve mediokër, por kërkonte të jepte ndihmesën e vetë në emancipimin e shoqërisë shqiptare që pati kaluar një histori dramatike, me anë të vjershave dhe publicistikës së tij, e cila përshkohej nga sensi vetëkritik. Ai nuk u pajtua kurrë me paragjykimet e kohës, me kanunet, fantazmat, mitet, me mendësitë primitive që ishin shtresëzuar dhe nuk shqiteshin lehtë, ashtu si dhjami shumëvjeçar në barkun e një pijetari dhe bënte apel për shëmbjen e tyre dhe sjelljen në shoqëri të koncepteve të reja të jetesës dhe organizmit të shoqërisë. Por nuk ishte e lehtë shembja e tyre, ndaj në vjershën e tij “Recital i Malësorit”, ai gati revoltohet edhe me veten: O, si nuk kam një grusht të fortë / t’i bij mu në zemër malit që s’bëzan, / ta dijë dhe ai se ç’domethanë i dobët, / n’agoni të përdridhet si vigan i vramë. (Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Vepra, mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi, Slloveni: Gorenjski Tisk, 2002, f. 20).
Poezia por dhe proza e Migjenit janë aktuale dhe sot, pasi nuk sulen vetëm kundër varfërisë, por edhe injorancës, prepotencës së zyrtarëve që sillen si pronarë të popullit të vetë. Nëse në prozën e tij, te pjesëza “Legjenda e misrit”, tregon se malësori detyrohej të bëhej frikacak e servil, sepse “n’njashtu e don ligji, nëpunësi, përndryshe nuk ka misër”. “Si urdhnon zotni” përsheëndet sa e sa herë në mënyrë qesharake, me të marrun zani, me gjeste majmuni – vetëm e vetëm mos me zgjue mëninë e engjujve që ndajnë misër”. (Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Vepra, mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi, Slloveni: Gorenjski Tisk, 2002, f. 110). Duket se popujt janë një kudo, të gjithë e duan nderin dhe e urrejnë përunjësinë. Edhe Sadiu i Persisë, duke thumbuar lajkaxhinjtë dhe servilët e kohës shkruante: Buka m’u shtua, nderi m’u shter, / Më mirë i varfër se sa pa nder. (Sadiu, Gjylystani dhe Bostani, përktheu Vehxhi Buharaja, Tiranë: Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 1989, f. 81).
Për fat të keq, e njëjta klimë është sot në Shqipëri e Kosovë. Zyrtari i shtetit mund të bëjë ç’të dojë, të emërojë dhe shkarkoj nga detyra kë të doj, të bëjë emërime kuadri pa u bazuar në kritere shkencore e profesionale, por vetëm në njohjet dhe interesat vetiake.


Sokoli ka zgjedhur Migjenin, sepse edhe vet ai ndodhet në Suedi për shkak të mjerimit, të dhunës dhe terrorit të ushrtuar nga serbët ndaj një populli të lashtë dhe të ndershëm, që përherë ka parë punët e veta, pa sulmuar askënd, në një kohë që është detyruar t’i nënshtrohet terrorit dhe dhunës së koordinuar nga fqinjët. Migjeni flet për drejtësi, për barazi në kuptimin e lirisë dhe ligjit, jot ë aftësisë dhe konkurrencës. Ndaj dhe Sokol Demaku e ka çuar në Suedi. Paçka se suedezët trishtohen nga fjala mjerim dhe nga termi terror. Sepse edhe ata dikur kanë përjetuar fenome të tilla, pavarësisht se kanë kaluar shekuj. Por Demaku e përjetëson Migjenin me qëllim që sa herë të dëgjojmë emrin e tij të kujtojmë ditët e errëta dhe të punojmë më shumë për të prurë dritë. Dhe drita vjen me punë dhe me djersë, jo me mashtrime. Jo më kot në Borås të Suedisë është ngritur një monument gjigant i Pinokut. Atje nuk njihet gënjeshtra, por prania e skulpturës së pinokut frenon dhe atë që ende nuk e ka fshire nga ndërgjegja e vet tendencën për të gënjyer. Diku tjetër ndodhet një tjetër skulpturë e një studenti duke fjetur, që do të thotë se progresi i dejes dhe ai shkencës, përparimi i shoqërisë, i prodhimit dhe teknikës, nuk vjen me gjumë, por me punë.
Emërtimi i qendrës Migjeni prej Demakut ka vlerë dhe për Shqipërinë e shqiptarët, pasi duhet ta dinë dhe nëpunësit e sotëm që, duke u sjellë në të njëjtën mënyrë si në kohën e Migjenit, e mbajnë peng Shqipërinë, zhvillimin e saj, robërojnë lirinë dhe, me varfërinë që pjellin e dhunën që ushtrojnë, i detyrojnë shqiptarët të ikin e të ikin, duke u kthyer në qytetarë të huajë, por me origjinë shqiptare. Ikin sepse duan liri, duan demokraci, jo lirinë e nënkuptuar më parë për shkak të pushtimit të huaj, por lirinë e mendimit, lirinë e fjalës, lirinë e konkurimit në të gjitha frontet e jetës, larg manipulimit të ndërgjegjes dhe letrave, e cila kërkon jo më pak luftë e forcë se liria që u rrëmbyem me gjak të huajëve. Qysh atëherë Migjeni e kishte shpallur veten “të birtë e shekullit të ri”, ndaj shkrimtarët shqiptarë sot, duhet të bëjnë gjithçka për këtë Shqipëri që ajo të renditet krahas vendeve të qytetëruara, pasi ajo nuk u përket vetëm atyre që jetojnë në ato troje, por edhe të tjerëve që janë larguar për shkaqe të ndryshme dhe kanë populluar botën mbanë, të atyre që prehen nën dhe dhe të tjerëve që janë duke ardhur në vijimësi, për të mos e lenë të vdes kurrë emri i bukur, Shqipëri. Prandaj të bëjmë siç këshillonte Omar Khajam: Të mirat një nga një m’i numro, / Të ligat togje-togje m’i pastro. (Omar Khajam, Rubairat, Tiranë, 1996, f. 240).


Migjeni mund të themi se ishte dhe më i riu, sepse i mbylli sytë në moshë shumë të re, në një vend të huaj, në Itali, në një kohë që zotëronte kulturë të gjerë dhe mund të jepte më tepër për kombin. Ai pasqyroi vuajtjen, varfërinë dhe mjerimin e popullit të vet me një mjeshtëri të rrallë. Ndërkohë kishte në vetvete dëshirën për ndryshim, për të përmbysur të keqen, qe hakmarrës për realitetin mbytës që ishte krijuar, pjesë e të cilit ishin gjithë shqiptarët e në radhë të parë intelektualët e këtij vendi.
Shqiptarët me banim në Borås të Suedisë e kanë Migjenin mbrojtës të çështjes shqiptare, sepse ai nuk pajtohej me përcaktimet e Europës, që në shekuj është tallur me Shqipërinë dhe disa prej anëtarëve të vet, përherë kanë qenë pro ceptimit të saj. Profesor Vasfi Samimi citon profesorin turk Ahmet Sukru Esmer, i cili thoshte se gjatë periudhës së qeverisjes nga perandoria osmane, Shqipëri është cilësuar “Turqia e vogël”, të tjerë e kanë cilësuar “Bishti i Turqisë”. Në kohën kur Shqipëria fitoi mëvetësinë, shpejtuan ta quanin “Taka e çizmes italiane”. Në vitet ’50 të shekullit të kaluar, e emërtuan “Ura varëse e Kremlinit” dhe pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, u quajt “Dritarja europiane kineze”. Në fakt, vështirë të gjesh shqiptar që të pranoj se anon nga Lindja. Të gjithë përqafojnë perëndimin. Shqipëria u prish me traktatin e Varshavës dhe u lidh me Kinën, jo për shkak të dashurisë së madhe me të, por për të qenë e mbrojtur nga rusët. Disa shqiptarë u përfshinë në luftë me Greqinë në vitin 1940, të detyruar nga Roma, por në vitin 1969, politika e Tiranës i kërkonte Kombeve të Bashkuara të lidhte marrëdhënie diplomatike me Greqinë, madje qe përcaktuar dhe ambasador Halim Budo. Në Luftën e Dytë Botërore u krijua një farë afërsie me Gjermaninë, jo si pushtuese, por për shkak të besimit më të madh si shtet perëndimor, pasi Lindjes shqiptarët nuk i zinin besë. Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Amerikën, por marrëdhëniet tregtare vazhdonin.
Demaku ka zgjedhur Migjenin, sepse Migjenit i dhimbseshin pazaret me kufijtë e Shqipërisë. Shqiptarët shkonin mirë me fqinjët, bashkëpunonin sinqerisht me ta kundër sundimit të egër osman, por prej tyre nuk mbahej i njëjti qëndrim. Marrëdhëniet u acaruan me serbët, grekët dhe malazezët në vitin 1912, kur ata pushtuan trojet shqiptare dhe në vitin 1913 shumica e territorit të banuar nga shqiptarë mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë. Prishja e marrëdhënieve me Titon dhe më pas edhe edhe me Moskën, ngriu lidhjet midis palëve në disa fusha. Por kur Shqipëria braktisi Traktatin e Varshës në vitin 1968 u prit mirë edhe nga Jugosllavia. Më pas marrëdhëniet u zbutën, Kosovës iu njoh një farë autonomie dhe filloi të frynte një fllad disi i ngrohtë midis dy vendeve, pasi në Prishtinë dëgjohej radio Tirana dhe librat shqip depërtuan në trojet kosovare.
Tani janë kohë të reja dhe sërish po fryjnë erëra të ngrohta dhe shpresëdhënëse për shqiptarët, por kjo nuk do të thotë që ne të rrimë duarkryq. Duhet të punpojmë dhe luftojmë si Migjeni, por edhe si shokët e Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Suedi, pasi sa më shumë të punojmë dhe sa më mirë të paraqitemi para kësaj Europe, disi të dyshimtë, aq më e sigurt është e ardhmja e shqiptarëve.