“PASIONI IM PËR MËSIMDHËNIE KA QENË PËRHERË BRENDA MEJE…”


– Bisedë me Dr.Vjollca Lubonjën, mësuese e pedagoge, autore dhe botuese librash –
Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues

Buqetë me lule të freskëta, për mësuese e pedagoge Vjollcën…(Tiranë, 7 Mars 2017)
1.Përshëndetje! Duke të falënderuar për këtë bisedë, dëshiroj së pari t’i njohim lexuesit, se kush është Vjollca Lubonja (Thimo), familja e saj e origjinës, fëmijëria dhe shkollimi … Pra, a mund të na tregoni diçka, të përmbledhur nga ato vite?
– Përshëndetje, prof. Gecaj dhe faleminderit për këtë bisedë miqësore! Do mundohem që ta rikujtoj, sa më shkurt, atë pjesë të jetës, që fillon nga lindja e deri në adoleshencë…
Vij nga një familje korçare, si nga mamaja, ashtu dhe nga babai, të vendosur në Tiranë pas luftës për çlirimin e Atdheut. Kam lindur në Tiranë, më 2 gusht 1955. Mbarova filloren dhe 8-vjeçaren te shkolla “10 Korriku”, diku aty, ku sot ndodhet shkolla e mesme “Sinan Tafaj”. Ishte një ndërtesë e vjetër dykatëshe, por me nje ekip mësuesish të mrekullueshëm. Sot, si njohëse e psiko-didaktikës dhe e metodikës, e them me bindje, se mësuesit e mi ishin specialistë shumë të përgatitur nga ana shkencore dhe pedagogjike.
Që e vogël, kam qenë një lexuese shumë e mirë, nxitur kjo, kryesisht, nga babai im, i cili nuk kursente asnjëherë të na blinte libra. Ne trashëguam një bibliotekë relativisht të pasur.
Shkollën e mesme e nisa te Gjimnazi “Sami Frashëri”, ku mbarova vitin e parë, me rezultate shumë të mira. Por një dashuri e brendshme për kulturën dhe gjuhën frënge më bëri që ta rinis vitin e parë te shkolla e mesme e gjuhëve të huaja, “Asim Vokshi”, Tiranë. Kështu, më 1974 mbarova të mesmen për frëngjisht. Meqenëse rrezultatet e mia ishin shumë të mira, kalova në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në degën për mësuesi.
2.Pas kryerjes së shkollës së lartë, ku e nise detyrën si mësuese e gjuhës frënge dhe çfarë mbresash a kujtmesh ruan nga ajo kohë?
– Me mbarimin e shkollës së lartë, me diplomë të cilësuar “mësuese e shkollës së mesme”, mua më emëruan në Mirditë, më saktësisht, në qytetin e vogël të Rubikut, që shtrihej përgjatë lumit të Fanit, në një shpat mali me akacje dhe pisha dhe, për kundruall, kishte një mal tjetër krejt të zhveshur. Aty ndodhej shkolla e mesme, “Teknikum”, kryesisht me nxënës nga zonat e Veriut të Shqipërisë, që mësonin në degët profesionale: gjeologji-miniera, metalurgji dhe bujqësore. Dua të theksoj se për mua, si vajzë nga Tirana, nuk ishte e lehtë të mësohesha larg familjes, në një qytet të vogël dhe me njerëz, që ndryshonin si nga zakonet, veshjet, por edhe nga gjuha e tyre dialektore. Përjashto një grusht njerëzish, për të cilët nuk kam pasur dhe nuk ruaj asnjë respekt, ku do të përmendja dhe drejtorin e shkollës sime, një injorant dhe fodull, i cili kompleksohej nga origjina e tij provinciale dhe paaftësia, mund të them me bindje se unë i desha shumë nxënësit e mi, po ashtu edhe atë qytet të vogël. Teknikumi ndodhej në një pikë që binte në sy, por, prej andej, edhe ne mund të shtrinim vështrimin përgjatë lumit, për ta parë Uzinën, që shënonte “sinorin” hyrës në Rubik dhe urën e Fanit, në skajin tjetër, që na kalonte përtej, në drejtim të Rrëshenit, qendra e Mirditës.
Katër vjet e gjysmë punë, mësuese në Rubik, më dhanë shumë shprehi të shëndetshme për jetën, më bënë t’i njoh mirë njerëzit, por edhe veten. Punoja shumë, paradite në klasë, mbasdite organizoja konsultime me nxënësit konviktorë. Isha shumë e hapur me vajzat, që kërkonin të modelonin flokët ose të qepnin ndonjë fustan, duke dashur të më imitonin. Më shihnin si një shoqe, mike, ndoshta edhe si një motër më e madhe (kisha vetëm 3-5 vjet diferencë moshe me to).
Klasa ime kujdestari ishte me nxënës të bujqësores. Ata vinin kryesisht nga fshati dhe nga familje që kishin vështirësi ekonomike. Këtë e kuptoja nga veshjet e tyre, nga buka që hanin në pushim të madh (nëse kishin marrë me vete) dhe kjo mua më lëndonte pa masë. Por ata kishin një pasuri shumë të madhe, buzëqeshjen, që ua ndriste sytë dhe mirënjohjen, që dinin ta përcillnin aq bukur: Më sillnin lule nga mali dhe kjo më lumturonte.
E them me mburrje se, në ato 4-5 vjet, mësuse e gjuhës frënge, pata edhe nxënës të dalluar. Për nga arritjet në gjuhën frënge, ata do ishin mburrje edhe për vetë Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë… Sot ndiej kënaqësi, kur mësoj se janë bërë kuadro dhe familjarë të mirë. Kjo ma përligj edhe kërkesën e fortë që kam pasur ndaj tyre, për të mësuar shumë dhe për t’u vlerësuar me meritë.
3.Sa të shërbeu ajo periudhë pune, mësuese në Rubik, për vitet në vazhdim, kur u caktove redaktore shkencore e teksteve të gjuhës frënge?
– Para se të merrja emërimin, më 1984, në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, dua t’ju tregoj se si u përfshiva në reformën për hartimin e teksteve të gjuhës frënge. Një kontroll i MAK-së, i asaj kohe, “zbarkoi” në Mirditë dhe, nga vëzhgimet në orë mësimi, di që më kishin piketuar për të më përfshirë me tekstet shkollore, bashkautore për tekstet e reja, të nisura që nga viti 1982. E pranova këtë punë si një detyrë me shumë përgjegjësi, por edhe si e vetjma mënyrë për t’u afruar në Tiranë. Kam punuar shumë, por kam pasur një ndihmesë të madhe nga ish-redaktori i teksteve të gjuhës frënge, pranë SHBLSH-së, i ndjeri Vangjush Vinçani. Ishte një shkollë e vërtetë për mua, dy vjet punë krijuese, intensive. Kur prof. V. Vinçani doli në pension më 1984, u rekomandoi eprorëve në MAK-së dhe të SHBLSH-së kanditaturën time si person i përshtatshëm për vijueshmërinë e punës. Kjo shënoi edhe fillimin tim të punës në SHBLSH. Deri atëhere kisha bashkautorësi në 8 libra, ku isha autore e parë.
Nga 1984-2003, kam punuar redaktore shkencore për tekstet e gjuhës frënge dhe italiane. Ndërkohë, vazhdoja me autorësi dhe bashkautorësi me disa botime shkollore, rreth 17 tekste të arsmit parauniversitar. Të punoje në SHBLSH, bëheshe specialist për shumë profile dhe specialitete. Unë pata fatin të punoja gjatë, të mësoja shumë dhe të vlerësohesha për punën e kryer. Kështu, jam nderuar me “fletënderi” nga organe dhe struktura të ndryshme të asaj kohe, si dhe jam dekoruar nga Presidenti i Republikës, më 1989-1990, me Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit III. Po kështu, me rastin e 7 Marsit 2017, u dekorova nga Presidenti me Urdhërin “Naim Frashëri”, me motivacion: “Në respekt dhe nderim të punës së përkushtuar dhe kontributit të çmuar, në fushën e mësimdhënies së gjuhës frënge, të përkthimeve, si dhe në hartimin dhe përgatitjen profesionale të teksteve bashkëkohore të gjuhëve të huaja sipas standardeve më të përparuara të Bashkimit Europian”.
Ky është vlerësimi shpirtëror më i madh që më është bërë dhe, me këtë rast, dua të falënderoj nismëtaren znj. Ermira Pirdeni, presidente e shoqatës ASAG, me të cilën bashkëpunoj prej dy vjetësh, dhe Presidentin e Republikës, z. Bujar Nishani, i cili e mirëpriti dhe e vlerësoi kandidaturën time për dekorim.
4.Cila ka qenë praktika e ndjekur për të provuar efektshmërinë e teksteve të reja dhe a ju ka rezultuar se nxënësit e moshave parauniversitare kanë dhuntinë e gjuhëve të huaja?
– Për testimin e efektshmërisë së teksteve të reja “maket” ka pasur pyetësorë për nxënësit dhe mësuesit. Organizoheshin konsulta me bazë të gjerë, me mësues dhe inspektorë të gjuhëve të huaja nëpër rrethe dhe në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Pedagogjike, të asaj periudhe.
Një formë tjetër shumë e efektshme ishte dhe ndjekja në klasë e mbarëvajtjes së librit, si nga autorët mësues, të cilët detyrimisht duhet të mbanin shënime për çdo temë, rubrikë dhee ushtrim, ashtu dhe nga vetë redaktorët. Unë, personalisht, për 4 vjet eksperimentova librat e mi me nxënësit e fillores dhe kjo më shërbeu shumë për vazhdimësinë e punës hartuese. Preka “terrenin”, njoha zhvillimet psikomotore të kësaj grupmoshe dhe interesat e tyre.
Dhe, për ta lidhur këtë gjë me politikat e sotme në hartimin e teksteve shkollorë, e them me bindje se, atëherë, përgjegjësia dhe përmbajtja ishin shumë lart, krahasuar me kushtet dhe kohën. Sot, ka mjaft hallka, fatkeqësisht të kapërcyera, ka përfshirje të njerëzve jokopententë etj.. Të gjitha këto dhe shumë defekte të tjera, kanë sjellë sot, në shkollë, libra të dobët.
Për pjesën e dytë të pyetjes, mund t’u them se, tashmë, njihet edhe nga të huajt që shqiptarët kanë dhuntinë e gjuhëve të huaja. Kjo ka qenë e spikatur që para ’90-ës, kur shumë shqiptarë dinin të flisnin italisht, vetëm nga TV-ja ose radio. Gjuhët e huaja nëpër shkolla janë quajtur si dritare qytetërimi dhe janë vlerësuar shumë si nga prindërit, ashtu dhe nga nxënësit. Madje sot, në ballafaqimin me botën, me kërkesat në rritje për shkollim, punësim dhe lëvizje të lirë, ndjeshmëria dhe interesi për gjuhët e huaja është shumë i spikatur. Gjuhët e huaja do mbeten përparësi për ne shqiptarët edhe për vetë të ardhmen e drejtimit turistik të ekonomisë.
5.Për t’u aftësuar më tej, në detyrën tuaj si redaktore dhe si autore, a keni ndjekur kurse pedagogjike në Francë?…Si dhe sa të kanë vlejtur ato?
– Një ndër të metat e atij sistemi, që lamë pas, ishte mbyllja e rrugëve virtuale dhe reale, për t’u njohur me të rejat nga bota, si në fushën e arsimit, të botimeve etj. Duke punuar me librat dhe duke pasur edhe profilin e autores, redaktores së gjuhës frënge, kam pasur më shumë mundësi, për t’i njohur arritjet në fushën e metodikave. Një burim i mirë informimi ka qenë për mua edhe radioja, stacioni “Montekarlo”, që e kam ndjekur rregullisht, deri më 1990, sigurisht fshahtas. Pas këtij viti, me ardhjen e demokracisë, shanset për informim u shtuan, kontaktet dhe literatura u bënë të mundura. Kështu, kam marrë pjesë në shumë veprimtari ndërkombëtare dhe kombëtare për arsimin dhe botimet shkollore duke përfaqësuar Shqipërinë në disa veprimtari si: kolokuiume, seminare, takime ekspertësh, në Finlandë, Poloni, Austri, Francë etj.
Në vitet 1993-2003, kam ndjekur në qytetin Bezançon të Francës, te Qendra e Gjuhëve të Aplikuara (CLA), kurse specializimi njëmujore, në fushën e gjuhësisë, qytetërimit dhe të metodikave.
Si kurorëzim i punës sime studimore, në fushën e kurrikulës, fitova titullin “Doktore e shkencave metodike”, më 1999.
6.Ti ke qenë dhe pedagoge e jashtme, për gjuhën frënge, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe atë të Gjuhëve të Huaja… Cili ishte dallimi kryesor për mësimdhënien, në raport me atë në shkollat e nivelit më të ulët?
– Pasioni im për mësimdhënie ka qenë përherë brenda meje. Më 2003-2007, kam pasur ngarkesë të plotë orësh për gjuhën frënge, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe për rreth 1 vit edhe në departametin e gjuhës frënge, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Kjo periudhë ka lënë shumë mbresa tek unë dhe e vlerësoj mjaft, pasi kurorëzoi gjithë njohuritë e mia në mësimdhënie, që nga fillorja, ku nisën eksperimentimet me tekstet e reja, në vitet 1984-1988; në ciklin e lartë të 9-vjeçares, 1988-1990; në shkollë të mesme (vitet e punës në Rubik, 1978-1982) dhe, së fundi, vitet si pedagoge e jashtme (2003-2006).
Mendoj se në shkollën e lartë, pavarësisht niveleve të ndryshme të njohurive, në të cilat mbërrijnë në universitet nxënësit nga shkolla e mesme, puna kryesore e pedagogut është t’u mësojë teknikën e studimit dhe hulumtimit në literaturë profesionale. Rigoroziteti i punës së pavarur, me përkthimin e literaturës profesionale, duhet të jetë drejtimi që duhet t’u japë pedagogu studentëve, si dhe një rikujtesë e risistemim i shprehive të komunikimit të rrjedhshëm dhe me nivel.
Krahasur me mësimdhënien në arsimin parauniversitar dhe sidomos me fëmijët e fillores, them se vështirësia më e madhe qendron puna me këtë cikël, kur fillon të krijosh koncepte dhe shprehi gjuhësore, pra “ndërton”. Çdo dështim lidhet me ty, si mësues, jo me nxënësit. Ndaj i kushtoj shumë rëndësi metodës, që përdoret në klasë, e cila duhet të zgjidhet me shumë profesionalizëm dhe përgjegjësi, nga vetë mësuesi i lëndës dhe nga askush tjetër.

7.Që nga viti 2006, je administratore e Shtëpisë Botuese “Elve”. Cila është përvoja kryesore e këtyre viteve, sidomos në fushën e botimeve të ndryshme?
– Shpërbërja e SHBLSH-së, më 2003, më la pa punë, për rreth 3 vjet, përjashto orët në fakultet, si pedagoge e jashtme. Më 2006, kur u shpall “Refaroma e Altertekstit”, që për mua është reforma më e sukseshme në arsim në këto 27 vjet dhe një nga reformat më të mira të zhvilluara në vend, ndërmora një hap të guximshëm, duke ngritur strukturat e një shtëpie botuese, e cila u formësua ndër vite. Kështu, nga viti në vit, arritëm të jemi të pranishëm në shkollë me linjën e plotë për gjuhën frënge, nga klasa III fillore e deri në klasën XII; për gjuhën italiane, nga klasa III fillore e deri në klasën IX; për gjuhën angleze, vetëm për klasën III-IV fillore dhe për klasën X e XII të shkollës së mesme. Mosrealizimi i linjave të plota për gjuhët e tjera nuk erdhi nga neglizhimi ynë si Shtëpi Botuese ose nga mosprofesionalizmi i autorëve të zgjedhur, por si pasojë e bllokimit që MAS-i u bëri metodikave me autorë shqiptarë, për të importuar libra të huaj. Për mua këto politika janë kryekëput të dëmshme si për ekonominë, ashtu dhe për edukimin.
Këtë temë e kam trajtuar gjerësisht në median e shkruar dhe elektronike, sa herë që më është dhënë rasti, duke shprehur me përgjegjësi mosdakortësinë time, mbështetur në gjithë përvojën e vendeve të tjera europiane, të cilave kërkojmë t’u ngjajmë.
8.A ka botuar Shtëpia Botuese “ELVE” libra të fushave të larmishme? Po ju, a keni autorësi të tjera, përveç metodikave të gjuhës frënge?
– Po. Shtëpia jonë Botuese ka edhe botime të tjera shkollore si: Informatika (klasa VII-XI); Historia e qytetërimit (klasa X); Edukimi muzikor ose Muzikë (klasa VI-VII). Por kemi dhe shumë botime të tjera ekstrakurrikulare si: “Antologjia e Prozës së Shkurtër Shqipe” (me autor prof. dr. Nasho Jorgaqi), “Antologji e poezisë shqipe”(me autorë dr. Vjollca Osja dhe Gazmend Krasniqi); “Histori e Qytetërimit Botëror”, me autore prof. dr. Zana Frashëri-Lito etj. Kami pasuruar fondin e botimeve të SHB “ELVE” edhe me mjaft përkthime, për të rritur dhe fëmijë.
Para ’90-tës kam bashkautorësi në 12 tituj shkollorë dhe autorësi në 2 tekste. Ndërsa, nga 2006, pasi ngrita strukturat e SHB “ELVE” dhe deri më sot, kam bashkautorësi edhe në 14 libra shkollorë të tjerë, si dhe jam autore e vetme në 9 botime të reja kurrikulare dhe ekstrakurrikulare. Kam botuar edhe disa përkthime nga letërsia për fëmijë. Këtë vit kam botuar një vëllim poetik, me poezi ndër vite, disa prej të cilave po i përkthej në frëngjisht. Sigurisht, kam edhe shumë botime të tjera në proces: dy fjalorë, një vëllim të dytë poetik, një përmbledhje me tregime etj., të cilat shumë shpejt do shohin dritën e botimit.
9.Shtëpia Botuese “ELVE” zhvillohen veprimtari të ndryshme kulturore dhe përuruese. A mund të na përmendësh disa prej tyre?
– Në fakt, është Kafe-Librari “ELVE”, që zhvillon veprimtari të tilla, kulturore dhe përuruese. Më 2010, organizuam përurimin e një libri poetik të krijueses Tina Thimo. Më 2015, ishte rasti i piktores autodidakte, shumë të talentuar, Majlinda Aliaj, e cila hapi një ekspozitë pikture mjaft të sukseshme. Po në këtë vit, kemi organizuar përurimin e romanit të parë të shkrimtarit Fate Velaj, që u mirëprit nga komuniteti ku zhvillon aktivitetin Kafe-Librari “ELVE”. Në vitit 2016, organizuam takim me lexuesit e krijimtarisë së studiuesit dhe shkrimtarit, Luan Rama. Sivjet u përurua libri i shkrimtares Vojsava Nelo, për të ardhur te përurimi festiv i librit tim me poezi, “Peizazh në vargje”, në kuadër edhe të dekorimit, që m’u bë nga Presidenti i Republikës, me rastin e 7 Marsit.
Në këto 5 vjet të ngritjes së Kafe-Librari “ELVE” janë zhvilluar edhe shumë takime, mes kolegësh, miqësh dhe shokësh, të cilat i kanë dhënë dinamikë jetës në bashkësinë ku punojmë dhe jetojmë. Pra, qëllimi im është të shndërrohet Kafe-Librari “ELVE” në një qendër kulturore, komunikimi dhe miqësie, për njerëzit që na rrethojnë.
10.Dhe për ta mbyllur këtë bisedë, duke të falënderuar për gadishmërinë dhe sinqeritetin, dhe duke ju uruar suksese të mëtejshme në fushën tuaj të krijimtarisë, si metodiste e poete, por edhe si piktore, pasi vërjemë që ju keni dhe disa piktura tuajat të ekspozuara, dëshiroj t’u pyes, nëse keni diçka tjetër për të shtuar dhe që doni ta ndani me lexuesit?
-Së pari, dua t’ju falënderoj për pyetjet që më drejtuat, të cilat i vlerësoj profesionale e dashamirëse dhe që më dhanë mundësinë të bashkëbisedojmë lirshëm.
Së dyti, pikturës, një nga hobet e mia të kahershme, mendoj se në të ardhmen do i kushtoj edhe më shumë kohë. Pse jo, një ditë të mund të hap një ekspozitë modeste për komunitetin.
Së treti dhe së fundi, dua të theksoj se, gjithkush mbart vlera, të cilat duhet t’i lëvrojë, t’i shpërfaqi dhe t’i zhvillojë, jo thjesht si qëllim lavdie për vetëveten, por si një “gur i çmuar” në themelin e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, të vendit, të bashkësisë ku jeton e punon, për konsolidimin e miqësisë dhe të familjes. Faleminderit!
-Nga jetëshkrimi yt, mësuam se, më 2 gusht 2017, ke ditëlindjen…Prandaj, me një foton tënde, ku shfaqesh me një buqetë lulesh ndër duar, dhuruar më 7 Mars 2017, nga një ish-studentja juaj, po e shoqërojmë këtë bisedë të shkruar … Me këtë rast, të përshëndesim dhe të urojmë nga zemra: Gjitha të mirat, si në punë dhe në jetën e përditëshme, vetjake e familjare!