Viron Kona

 

Cikël me epigrame1) nga Viron Kona

1). Epigram: Vjershë e shkurtër, zakonisht satirike, që përmban një mendim të mprehtë e thumbues.

Vargjet pa mendim

Vargjet pa mendim:
si trenat,
që bosh venë e vinë…

Politikanët
“Të dënuar”,
si 50 vajzat e Danaut 2),
që, prej mijëra vjetësh,
vozën me ujë nuk po e mbushin dot…

2). 50 Vajzat e Danaut. Vajza të mbretit të Egjiptit, Danaut. Me urdhër të babai ato vranë 50 burrat e tyre. Për këtë u dënuan të rinin në Hadë, duke mbushur me ujë gjithë kohën një vozë me fund të shpuar, që s`mbushej kurrë.

Fytyra e ligësisë

Kur u largua nga kjo botë la trashëgim,
një sënduk të madh me ar e argjend.
Që ata pas tij t`mos ia harronin zakonin,
brenda sëndukut fshehu dhe një nepërkë.

Sundimtari

Fshati e njohu si hajdut pulash,
bankat si vjedhës eurosh e dollarë,
politika e “vlerësoi” si kameleon e ngjalë,
populli e mallkoi si sundimtarë gjakatar.

Spiunët
Si qentë,
nga larg të përgjojnë,
heshtazi të ndjekin pas,
presin çastin dhe kafshojnë.