Luljeta Dushi

MUZEU DIOQEZAN SHKODËR-PULT


Muzeu Dioqezan Shkodër-Pult është themeluar nga dëshira dhe nevoja për të mbledhur e ruajtur dëshminë kulturore e artistike në lidhje me fenë dhe traditat e Shqipërisë veriore, ku historikisht tradita katolike është më e fortë sesa në të gjithë pjesën tjetër të vendit, dëshmitar dhe ruajtës i një besimi shpeshherë i kundërshtuar, që i ka rrënjët e tij në vetë zanafillat e krishtërimit të kohës apostolike.
Ky muze është dëshmi e historisë së popullit shqiptar dhe e besimit të tij të krishterë katolik e treguar nëpërmjet veprave të artit, objekteve kishtare, objekteve të përdorimit dhe devocionit personal, fragmenteve dhe dokumenteve, dëshmive, fytyrave dhe zërave: historia e një populli ndërthuret me historinë, ndërsa dëshmitë e besimit personal ndërthuren me historinë e Kishës.
Në këtë muze ka dëshmi materiale dhe jomateriale, ku gjithsecili mund të njihet me një realitet që ka ende pasoja në të tashmen, mund të kuptojë vlerën dhe rëndësinë, të cilat tejkalojnë planin e njohurisë së thjeshtë dhe na përfshijnë në planin e urtisë.
Muzeu është i vendosur në sakristinë e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër dhe është në dy kate me një ecuri treguese me seksione tematike.
Seksionet tematike të katit të parë dokumentojnë kujtesën e vendeve të kultit të transformuara ose të prishura, temën e fshehjes së besimit (në përmasën më private) dhe të simboleve të saj, që të mund t’i ruanin shenjat dhe dëshmitë e veprimtarisë së Kishës shqiptare në shekuj.
Seksionet tematike të katit të dytë dokumentojnë fytyra e zëra, persona e ngjarje, dëshmi e tregime që janë shenjë e një feje të thjeshtë e të fortë, në përmasën e saj më kolektive, si shprehje e një populli.
I. RRËNJËT E LASHTA (Kujtime të së kaluarës).
Gjërat më të vjetra të koleksionit, si sende të gjetura prej guri të manastireve, harta historike dhe monedha, dëshmojnë praninë e hershme dhe të gjatë të krishtërimit në Shqipëri.
II. KISHAT E DJESHME (Kujtime të vendeve).
Arkitektura kishtare që nuk ekzistojnë më ose thellësisht të transformuara, të treguara nëpërmjet materialeve që dokumentojnë ekzistencën, karakteristikat dhe historinë e tyre.
III. UJI (Zë i vendeve dhe simbole).
Uji, simbol universal dhe sakramental dhe prania e fortë në territorin e Dioqezës. Sende të gjetura të pasura me domethënie, mes arkeologjisë, letërsisë dhe besimit.
IV. FRAGMENTET SKULPTURORE (Shenja të një bukurie të plagosur).
Fragmente skulpturore prej druri, vepra arti në bukurinë dhe integritetin e tyre fizik, shenjë e përpjekjes për të fshirë simbolet e fesë, kujtesën e një tradite të gjatë.
V. SKULPTURAT (Fshehje: shenja të një bukurie të ruajtur).
Skulptura prej druri të ruajtura nëpërmjet fshehjes, objekte të gjetura emblematike të një koleksioni më të gjerë skulpturash të mbyllura në mur dhe të shpëtuara nga sekuestrimi dhe zjarri.
VI. FSHEHJA DHE DEVOCIONI (Shenja të një besimi të thjeshtë dhe të fortë).
Figura dhe objekte fetare të fshehura, një fe e përndjekur që shprehet në gjeste të thjeshta në intimitetin e jetës familjare dhe në vullnetin për të ruajtur simbolet e saj.
VII. VEPRIMTARIA E KISHËS (Shenja të një uniteti të pandërprerë).
Prania e gjallë dhe dëshmia e Kishës katolike shqiptare, mbështetje e besimit të secilit dhe vend frytdhënës për edukimin e një populli.
VIII. KAMBANAT (Zëra që thërrasin popullin).
Zile liturgjike, kambana të vogla e të mëdha me tingullin e tyre universal, na njohin me ambientin e kambanares në katin e sipërm të muzeut.
IX. ZOJA JONË E SHKODRËS (Një fytyrë e dashur e kultit popullor).
Piktura dhe objekte me natyrë të ndryshme tregojnë kultin e Zojës së Këshillit të Mirë, mes ikonografisë, legjendave dhe të vërtetave.
X. PilgrIMAGE (Vepër video e Adrian Pacit- 2005).
Vepra që lidhet me historinë e shpërnguljes së ikonës së Zojës së Këshillit të Mirë, kapërcen dhe shpreh zbrazëtitë e krijuara nga gjeografia, besimet fetare, kulturat, politikat dhe arti.
XI. DËSHMITË (Besimi i një populli në besimin e secilit).
Një natyrë njerëzore e paepur, e lindur nga besimi dhe nga pasioni për lirinë, për atdheun e vet dhe për Kishën, dëshmi e përhapur dhe personale.
XII. PERSONALITETET (Shekulli XX).
Figura emblematike shqiptare të karakterizuara nga pasioni për kulturën politike dhe për fenë, me dëshirën për një liri të vërtetë për atdheun dhe për Kishën.
XIII. KRYQI I DUKAGJINIT-PULT.
Prani shumë sugjestive, kryqi mban emrat e personave të vdekur për të mbrojtur kufijtë shqiptarë dhe fenë e tyre, gjatë një beteje të përgjakshme në vitin 1915.
XIV. MARTIRËT (Shenja të një uniteti të pandërprerë asnjëherë).
Fotografi, letra, sende me natyrë të ndryshme që u përkisnin martirëve shqiptarë, tregojnë për një shpresë dhe për një siguri kaq të madhe sa për të dëshmuar fenë deri në çastin e fundit të jetës.
XV. NJË KISHË QË LULËZON.
Rilulëzimi i Kishës dhe i shprehjes së lirë fetare, ndërsa rregjimi komunist po shkonte drejt fundit, me meshët e para dhe vizitën apostolike të Gjon Palit II.
XVI. SOT (Shenja të një tradite të pandërprerë asnjëherë).
Kremtimi i festës së Zojës së Këshillit të mirë i vitit 2016, shenjë se si historia e mundimshme e fesë në Shqipëri i sjell ende frytet e saj në të tashmen.