Ndue Lazri

FRESKIA E VALLEVE TË ATDHEUT
-Me nxënësit artistë të Bulqizës në Reggio Emilia-


Ndonëse mbrëmja ishte e nxehtë në këtë korrik përvëlues, aktivistët dhe anëtarët e shoqatës “Shqiponja” u mblodhën me kënaqësi në sallën e circolos tek via “Turrini”. Ishin mbledhur siç mblidhen shpesh në fund të çdo muaj për të kaluar një mbrëmje sëbashku nën tingujt e muzikës shqiptare e me prodhime ushqimore të sjella nga shtëpia në kujtim dhe mbajtje gjallë të traditave kulinare shqiptare.
Por këtë radhë mbrëmja ishte e veçantë, sepse shoqata “Shqiponja” bëhej mikpritëse e miqve të veçantë, nxënësve artistë të shkollës “Xh. Doda” të Bulqizës. Rreth 20 artistë që sollën një freski të vërtetë jo vetëm me moshën e tyre të re, por edhe me mënyrën e interpretimit të këngëve e valleve të Atdheut. Moshës së tyre të re i kishin aq hije kostumet e bukura kombëtare shqiptare. Nuk ishte e lehtë t’i mbaje veshur ato kostume disi të rënda për një mbrëmje kaq të nxehtë e aq më tepër edhe të hidhje valle ritmike e dinamike, siç janë vallet e Tropojës, Kukësit, Dibrës e Kosovës, që ishin në repertorin e këtij grupi. Por artistët bulqizakë, nuk i hoqën ato për asnjë moment, duke dëshmuar dashurinë e tyre për traditat e artin popullor, pasionin për këngën e vallen e bukur popullore.
Është kënaqësi e madhe kur shikon fëmijë të tillë që punojnë në mënyrë të vazhdueshme nën drejtimin e përkushtimin e drejtorit artistik të grupit, Erblin Novaku dhe të mjeshtres së talentuar të muzikës Isabela Kocaqi, me një program të mirëndërtuar e që vazhdon gjatë gjithë vitit, jo vetëm në momente të veçanta evenimentesh artistike. Po i ndiqja me vëmendje gjatë gjithë mbrëmjes dhe vëreja që veshja artistike popullore ishte bërë për ta diçka organike, ashtu si dhe mënyra e interpretimit të këngëve apo e luajtjes së valleve. Edhe pse në mosha shumë të reja, tek secili prej tyre vërehej pjekuria dhe mjeshtëria artistike, çka do të bëjë që në të ardhmen të kemi një grup me përgatitje gjithnjë e më të lartë profesionale. Kjo garanton vijueshmërinë e artit popullor edhe në treva të tilla të largëta e qytete të vogla si Bulqiza. Nuk munguan në repertor edhe këngët e moshës së tyre, ato për fëmijë. Niveli i lartë i interpretimit të atyre këngëve na solli atmosferën e bukur që ishim mësuar të shikonim në festivalet e këngës për fëmijë që organizoheshin në Shkodër e ku Dibra dërgonte gjithnjë krijime e këngëtarë cilësorë e dinjitozë.
Ardhja e këtij grupi në Reggio Emilia u bë e mundur në sajë të bashkëpunimit midis shoqatës “Shqiponja” dhe të foumit shumë aktiv “Donne indipependenti” të qytetit të Parmës. Ky bashkëpunim i frutshëm ka kohë që ka nisur. Para disa muajsh, me ftesë të zonjës së nderuar Elvira Lashi Lika, kisha marrë pjesë sëbashku me drejtues e aktivistë të shoqatës “Shqiponja” në një aktivitet të bukur të organizuar nga ky forum kushtuar grave shqiptare të realizuara e të njohura në fushën e krijimtarisë letrare-artistike dhe atë profesionale. Ishte një aktivitet cilësor, i ideuar dhe menaxhuar bukur, me një pjesëmarrje të gjerë të grave edhe nga rajone të tjera të Italisë, çka tregonte për ekzistencën e ideve të shëndosha e programeve të gjalla e me kënvështrim të largët të këtij forumi.
Grupi i nxënësve nga Bulqiza kishte ardhur për të marrë pjesë në një manifestim interetnik “Bota në festë” që zhvillohet çdo vit në Piacenza e ku marrin pjesë grupe artistike të etnive të ndryshme. Grupi i nxënësve dibranë kishte ngjallur kureshtjen e publikut, të pjesëmarrësve e edhe të përfaqësuesve të shtypit e të mediave me bukurinë e kostumeve, të këngëve e të valleve të interpretuara. Edhe në këtë pjesëmarrje ishte bashkëpunimi i forumit “Donne indipendenti”, nëpërmjet përfaqësueses së këtij forumi në Piacenza, piktores Elona Marika.
Dhe ja, në sajë të këtij bashkëpunimi, i kemi tani edhe mysafirë të shoqatës “Shqiponja”. Në fillim bëhet një takim prezantues në zyrat e shoqatës. Presiedenti i shoqatës, Haki Maze, sekretarja Blerta Premti dhe ish presidenti, dibrani DOC i shoqatës, Klodian Cami, iu urojnë mysafirëve mirëseardhjen dhe i njohin ata me aktivitetin e vazhdueshëm të kësaj shoqate në mbrojtje e zhvillim të traditave kulturore, historike e atdhetare, për mbarëvajtjen e shkollës shqipe hapur nga kjo shoqatë etj.


Pastaj aktiviteti vazhdoi me mbrëmjen e bukur për të cilën po flasim.
Blerta Premti, e cila drejtonte këtë mbrëmje të bukur artistike, në fillim intervistoi disa nga pjesëmarrësit e vegjël të këtij grupi me vlera të veçanta. Pastaj fton para mikrofonit presidenten e forumit “Donne Indipendenti”, Marsida Guri Mehdiu, e cila flet mbi aktivitetin e këtij forumi dhe objektivat e qarta për të ardhmen. Ndërsa Loreta Shahini Metollari, drejtuese e grupit të fëmijëve “Mille stelle” të forumit, foli për aktivitetin e vazhdueshëm të këtij grupi. Drejtoresha e shkollës së Bulqizës, Lindita Sallaj Kaja, një grua dinamike dhe mjaft e përgatitur foli për punën në shkollën e saj dhe mbi realizimin e mundësisë së ardhjes së këtij grupi në manifestimin e Piacenzes. Në përfundim të fjalës së saj ajo recitoi mjaft bukur poezinë e Pashko Vasës “O moj Shqipni”, interpretim që u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit. Përshëndesin edhe përfaqësuesja e komunës së Bulqizës, Teuta Cami dhe mësuesja Enkeleda Çela.
Grupi dinamik i valltarëve të vegjël të Bulqizës e ndez atmosferën në sallë. Tashmë nisin të vallëzojnë të gjithë tok edhe anëtarët e shoqatës. Freskia e sjellë nga nxënësit bulqizakë sikur e ka tretur tej vapën e mbrëmjes dhe askush nuk do t’ja dijë për të.
Kam kënaqësinë të takohem sërish me të mirënjohurin e të palodhurin Durim Lika, i cili ka dhënë e jep aq shumë për komunitetin shqiptar jo vetëm në Parma, por edhe më gjerë. Ai ndihet si në shtëpinë e vet këtu dhe është gjithnjë në lëvizje, sa duke ndjekur mirëfunksionimin e impiantit fonik, aq në fiksimin ne foto e në video të momenteve më të bukura të kësaj mbrëmjeje. Ndërsa Klodian Cami iu rri gjithnjë afër bashkëpatriotëve të tij dibranë, duke u bërë nderet e zotit të shtëpisë, siç e ka ai në traditën e bujarisë së tij të njohur.
Në këtë atmosferë të bukur e vëllazërore mbrëmja vazhdon deri në orët e pasmesnatës. Festa të tilla lënë mbresa të veçanta, sepse sjellin freskinë dhe bukurinë e valleve dhe këngëve të Atdheut.