Lumturinë e vërtetë, njeriu e gjen vetëm në vendin e vet.
(Shënime për librin e Bardhyl Xhamës “Tërfili me katër fletë”)

Nga Sejdo HARKA

Shkrimtari i mirënjohur dhe Mësuesi i Merituar Bardhyl Xhama, ka një jetë të tërë që shkruan e shkruan pa mbarim. Veprimtaria e tij krijuese zë fill që nga mesi i viteve pesëdhjetë. Poezitë e tij të para i botoi si nxënës në gjimnazin e Gjirokastrës, kur ai ishte anëtar i rrethit letrar së bashku me talentet më të mira të këtij gjimnazi, siç ishin Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, të cilët më vonë u bënë emblema e kulturës dhe letërsisë shqipe.


Bardhyl Xhama, përveç shkrimeve të panumërta me vlera studimore në fushën e kulturës, artit, letërsisë dhe pedagogjisë, ka botuar deri tani 16 libra artistikë, 11 prej të cilave janë nderuar me çmime në konkurset kombëtare. Krijimtaria e tij e larmishme u drejtohet të gjitha moshave, por veçanërisht fëmijëve dhe të rinjve adoleshentë. Me cilësi dhe orgjinalitet, në krijimtarinë e tij për fëmijë ka mundur të vërë në themelet e letërsisë shqipe një gur me peshë të konsiderueshme. Ai ka bërë emër me romanin fantastiko-shkencor për fëmijë ”Ekspedita e kaltër”, romanin “Në kthetrat e piratit”, novelën “Zhytësit e thellësive” etj., por veçanërisht me librat me rrëfenja, prej të cilave ka filluar botimi i Kolanës me tetë libra nga Shtëpia Botuese “Toena”.
Krijimtarinë artistike të Bardhyl Xhamës e dallon gjuha e bukur dhe naracioni i rrallë, mendimi i thellë dhe mesazhi universal. Të shkruash për krijimtarinë e tij, duhen faqe të tëra. Por objekt të këtyre shënimeve të shkurtra , ne po bëjmë novelën –përrallë “Tërfili me katër fletë”. Ky libër për herë të parë është botuar në vitin 1989, por me që është pëlqyer shumë, është ribotuar disa herë.
Vlen të theksojmë se në vitin 2010 “Tërfili me katër fletë” ripunohet nga autori dhe përshtatet për shkollën fillore me titullin “Tre vëllezërit”. Ky botim cilësor i Shtëpisë Botuese “Neraida”, me ilustrime me ngjyra të piktorit të mirënjohur Llazar Taçi dhe në formatin e një reviste, fitoi çmimin e parë në Panairin Mbarëkombëtar të Librit të vitit 2010, duke u cilësuuar si libri më e mirë për fëmijë. Pra, “Tërfili me katër fletë” dhe “Tre vëllezërit” është i njëjti libër, prandaj dhe po vëmë si ilustrim në këtë shkrim kopertinën “Tre vëllezërit”.
Brendia e këtij libri është një ndërthurje e bukur midis novelës dhe përrallës, mes fantastikes dhe reales, të të shkuarës , të sotmes dhe të ardhmes. “Në këtë novelë –përrallë, – shkruan kritiku dhe studiusi letrar Prof.Dr.Jakup Mato në parathënien e këtij libri- gërshetohet bukur realja me fantastiken, konkretja me figurativen, idealja me realen”. B.Xhama, si njohës i thellë i krijimtarisë gojore dhe historisë, i artit dhe pedagogjisë, ka ditur të kapërxejë kufijtë që ndajnë kohrat me gjinitë dhe historitë e vërteta nga mitologjitë. Në qendër të përmbajtjes të këtij libri qëndron historia e moçme e tre vëllezërve. Gjoka, Gjika dhe Gjeka jetonin bashkë me prindërit në varfëri. Një ditë prej ditësh babai i tyre, i detyruar nga rrethanat e jetesës, me dhimbje të madhe u thotë: “Erdhi dita t’i dilni zot vetes. Nisuni të kërkoni lumturinë tuaj. Kërkoni tërfilin me katër fletë. Thonë se kush gjen atë, bëhet i lumtur”. Mjaftoi kjo thirrje tepër sugjestionuese që tre vëllezrit të ngjeshin shpatat dhe, mes breshërit të lotëve të nënës, të nisen për të kërkuar lumturinë e vërtetë. Por, sipas trillit metaforik të përrallës narrative, që tre vëllezërit ta gjenin sa më lehtë lumiurinë e vërtetë, u duheshin këshillat e urta të bariut plak mjekërkuq, që ndodhej në Shpellën e Ariut. Disa prej këshillave që djemtë marrin nga ky plak i mençur, janë këto. “Lumturia nuk vjen vetë. Atë duhet ta kërkosh dhe e gjen vetëm ai që është i duruar, i ditur, punëtor e trim. Edhe nëse do të dështoni një herë, kurrë mos u thyeni e ligështoni”. Mesazhe të tilla të forta, që vijnë nga thellësitë e shekujve, kanë vlera të jashtëzakonshme jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të sotmen dhe të nesërmen. Brenda tyre janë shkrirë në mënyrë organike të gjitha kohrat.
Veprimi i brendisë së kësaj novele –përrallë, bëhet më dinamik në rrëfenjën e dytë, që titullohet “I duruari, i fituari”. Pas 9 ditësh e 9 netësh ngrënë e pa ngrënë, tre vëllezërit mbritën në një arë të lëruar, ku çuditen kur shohin se si bujqit po përzgjedhin me durim farën e grurit , me të cilën do të mbillnin tokat e punuara. Bashkë me ta u shtruan të punonin edhe tre vëllezrit e porsaardhur. Por dy vëllezërit e mëdhenj, Gjoka dhe Gjika, e humbën durimin dhe u larguan. Donin ta gjenin lumturinë jo me punë e vështirësi, por me rrugë të lehta. Ndërsa më i vogli, Gjeka, që është dhe heroi kryesor i kësaj novele, nuk u largua. Me vullnet të fortë e mençuri të rrallë vazhdon rrugën e vështirë për të gjetur metaforikën e trëndafilit me katër fletë, që simbolizon lumturinë e vërtetë.
Pas trillit mistik përrallor të të pamundurës, që është “Tërfili me katër fletë”, Bardhyl Xhama, nëpërmjet personazheve , sa realë aq edhe magjikë, kërkon të zbulojë të vështirën , por plotësisht të mundshmen, lumturinë e vërtetë. Përmes simbolikës mitologjike, autori na çon tek realja metaforike e të sotmes dhe të ardhmes . Nëse dy vëllezërit e mëdhenj e kërkonin lumturinë te rrugët e lehta, vëllai i vogël, Gjeka , e kërkon tek puna e sakrifica. Edhe kur Gjeka braktiset nga dy vëllezërit më të rritur, ai nuk heq dorë nga qëllimi i tij madhor. Shpejt ai do të bëhet edhe me bashkëudhëtar. Rrugës, duke kërkuar lumturinë , bëhet me vëllaçko. Ai është Cinxoja, që përfaqëson Gishton, heroin e njohur të përrallave popullore. Të ndihmuar herë nga bujqit e ndërtuesit dhe herë nga magjia e bluzës me diellin e qëndisur, apo të unazës magjike, ata ecin të vendosur drejt lumturisë së kërkuar. Aleatët e tyre të përhershëm kanë qenë edhe shpata e guximi, edhe trimëria e durimi. Një armë tjetër frymëzuese për ta kanë qenë edhe këshillat e mençura të Nënë Hënës. Për realizimin e qëllimeve të tyre, ajo i kishillon: “Kurrë mos përtoni, sepse përtacët janë skllevër të varfërisë. Kurrë mos u trembni në rrugën tuaj të vështirë, sepse frikacakët vdesin përditë”. Ajo u mëson atyre si t’i rrëmbejnë Kuçedrës çelsin magjik, për të hapur “portën e lumturisë”. Prej këtej zë fill brendia e rrëfenjës fantastike “Brirët e kushtrimit”. Pushtuesit, të ndihmuar nga Kuçedrat e Livadheve të Nëmura, vërshojnë në luginë. Por Gjeka dhe Cinxoja, të ndihmuar nga njerëzit trima dhe luftëtarë të këtyre anëve, i shpartallojnë pushtuesit. Kjo fitore i bëri ata heronj të njohur të këtyre anëve. Por ky emër i madh nuk bëri që ata të heqin dorë nga lufta për të gjetur lumturinë. Sapo hyjnë në brendësi të Livadheve të Nëmura, asgjësojnë Kuçedrën Syverdhë , simbolin e së keqes dhe të dinakërisë. Kur Kuçedra Syverdhë shpëton përmes dinakrisë, Cinxoja futet nga vrima e kyçit dhe duke vrarë simbolin e së keqes, Kuçedrën, dy luftëtarët trima , të mbështetur nga të gjitha forcat pozitive, kanë çliruar njëheremirë Livadhet e Nëmura, të cilat tashmë do të quheshin Livadhet e Blerta.
Për Gjekën dhe vëllaçkon puna dhe lufta për të gjetur lumturinë nuk mbaron këtu. Prandaj kërkojnë me durim të gjejnë plakun e mençur Mjekërverdhë, i cili do t’u tregojë sekretet e gjetjes së lumturisë së vërtetë. Ja çdo t’u thotë ai “luftëtarëve” të lumturisë: “Punoni Livadhet e Blerta që çliruat dhe mbillini ato me tërfil. Aty do të gjeni dhe “Tërfilin me katër fletë”, që simbolizon lumturinë e vërtetë”. Ndofta Gjeka dhe Cinxoja nuk do ta gjenin “Tërfilin me katër fletë”, sepse ai realisht është shumë i rrallë, por ata gjetën vendin dhe rrugën e vërtetë për të gjetur lumturinë e kërkuar. Ata u bënë bujq e muratorë, rrobaqepës e bahçevanë. Mësuan si të përgatisin ilaçe, armë e barut, si të përdorin shpatën e, mbi të gjitha, si ta vinin në jetë diturinë dhe mençurinë. Me luftë ,mund e sakrificë, vranë Kuçedrën dhe ua kthyen Livadhet e Blerta banorëve të këtyre anëve. Ç’të gjenin tjetër?! Ja, kjo ishte lumturia e vërtetë që kërkonin. Prej këtej buron mesazhi me vlera gjithkohore, që shkrimtari Bardhyl Xhama kërkon t’u përçojë gjithë lexuesve nëpërmjet magjisë së fjalës. Njeriu ,në çdo kohë, lumturinë e vërtetë duhet ta ndërtojë me duart e tij dhe vetëm në vendin e vet.
Shkrimtari Bardhyl Xhama , duke ecur në gjurmët e mjeshtrave të përrallave dhe veçanrisht të rrëfenjave si Mitrush Kuteli, ka mundur që nëpërmjet ndërthurjes së përrallës me rrëfenjën, të reales me magjiken, të së djeshmes me të sotmen dhe të ardhmen, të krijojë një vepër të bukur, jo vetëm me vlera të mëdha edukative atdhetare, por dhe me vlera të spikatura artistike, larg moralizimeve të thata. Përmes ngjarjeve, herë reale dhe herë fantastike, me tipare përrallore, si dhe përmes personazheve e karaktereve, sa realë aq dhe mistikë, që veprojnë në kohë të ndryshme e rrethana sa reale aq dhe të çuditshme, autori hedh dritë për të sotmen dhe të nesërmen, duke rrafshuar jo vetëm epokat, por dhe gjinitë, llojet dhe nënllojet e tyre. Pikërisht ky rrafshim i natyrshëm i historisë me mitologjinë, i reales me fantazinë, i të vërtetës me magjinë, si dhe gjuha e gjallë, me ngjyrime të thella popullore dhe artistike, e bën stilin e tij të papersëritshëm. Kjo e bën krijimtarinë e tij tërheqëse për lexuesit e të gjitha moshave, edhe kur u drejtohet fëmijëve dhe adoleshentëve.
Shkrimtari Bardhyl Xhama këto ditë mbushi 84 vjeç. Prandaj , me këtë rast, po i mbyll këto shënime të shkurtëra me urimin: “Rrofsh sa të të dojë e bardha zemër, o i arti Bardhyl! Shëndet, lumturi e vepra më të bukura na dhurofsh në të ardhmen!”