Gentiana Zagoridha

DJALI DHE TIGRI


Atë ditë mësueja hyn në klasë me një libër të ri në dorë.Nxënësit kureshtarë ndiqnin çdo lëvizje të saj me vëmendje dhe në heshtje.Ajo vendos librin në tavolinën e saj e hap në faqen e parë diçka lexon dhe vë buzën në gaz.E mbyll dhe bëhet gati për fillimin e orës së mësimit.Një zë paksa i mbytur u dëgjua nga fundi i klasës.
-Mësuese do të na e lexosh?
-Nuk të dëgjova mirë,si the?- iu drejtua mësuesja nxënësit.
-Mësuese ne kemi dëshirë të na e lexosh këtë libër -u dëgjua zëri i një fëmije tjetër.
-Po,po mësuese duam të na e lexosh – vijuan njëzëri nxënësit e tjerë.
Nuk kishin faj këta nxënës .Ishin paksa të përkëllelur nga mësuesja e tyre.
Që në klasë të parë ajo ishte kujdesur duke shfrytëzuar orët e lira për të ngjallur tek ta kureshtjen dhe dashurinë për librat.
E patën nisur me leximin e disa librave për fëmijë të përkthyer nga suedishtja në shqip të dhuruara nga mësuesit e shkollës Fjardinskolan.Tërheqja ishte maksimale.Ilustrimet bënin të tyren.Fëmijët dëgjonin me vëmendje. Asgjë nuk pipëtinte në klasë gjatë leximit të këtyre librave.Thuajse dhe fryma u mekej.Vetëm tek tuk dëgjohej shpërthimi i të qeshurave nga ndonjë episod gazmor i personazheve. Ç’kënaqësi,entuziazëm,dëshirë e pamatë shikohej në fytyrat e tyre.Të etur për aventura pothuajse ishin të përfshirë në botën e secilit personazh. Fytyrat e tyre vrejteshin kur diçka e rrezikshme u kanosej personazheve.Buzëqeshnin kur arrinin të shpëtonin nga një situatë e vështirë.
Veç ti shikoje mimikat e tyre!
Gjatë pauzave të ndryshme nxitnin mësuesen që të mos ndalonte por të vazhdonte leximin deri në fund të përrallës.Ishin kureshtar.Nuk prisnin të nesërmen për të mësuar aventurat e rrallës të personazheve të tyre të parapëlqyer.
Në klasën e dytë u vijua me leximin e aventurave të Pipi Çorapegjatës libër ky dhuruar sërisht nga mësuesit suedez.Shumë shpejt u lexua dhe u rilexua dhe ky libër.Them rilexua dhe nuk e ekzagjeroj aspak pasi nxënësit nuk ngopeshin së dëgjuari aventurat e Pipit.Ata e kanë parë dhe të ekranizuar por magjia e leximit i zhyste ata në botën e imagjinatës dhe ata përfshiheshin në aventurat e Pipit sikur të ishin dhe ata me të.
Dhe ja klasa e tretë u solli sërisht mundësinë të njihen me aventura të reja.
Libri DJALI DHE TIGRI sapo kishte zgjuar kureshjen e tyre.
Pyetjet u nisën furtunë nga çdo cep i klasës:
-Mësuese për ne është ky libër?
-Kush ta dhuroi?
-A është i bukur?
Dhe mësuesja duke i parë fëmijët plot dashuri iu drejtohet :
Ju kujtohet xhaxhi Sokoli?
-Po mësuese si nuk na kujtohet.Ai së bashku me disa mësues të tjerë suedezë na kanë dhuruar lapsa, na kanë bërë fotografi.
Na kanë dhuruar dhe një kalë të kuq mësuese,- u hodh një nxënës tjetër.
Po po u përgjigjën dhe nxënësit e tjerë njëzëri.Xhaxhi Sokoli është shumë i mirë.
-E pra,- vijoi mësuesja këtë libër e keni dhuratë pikërisht nga ai.
Po pse mësuese shkrimtar është xhaxhi Sokoli?! -pyeti një nxënëse.
Po,xhaxhi Sokoli përveçse mësues shkruan dhe libra për të rritur.Libra në prozë e poezi.Ka një revistë që e drejton në Suedi.Një radio madje dhe një televizion për të gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë atje që të ndihen sa më pranë kombit të tyre.Mos të harrojnë gjuhën dhe zakonet shqiptare.Këtë libër e ka përkthyer enkas për të gjithë fëmijët shqiptar me qëllim që dhe ata të njihen më nga afër me Suedinë dhe shumë qytete të saj nëpërmjet aventurave që kalojnë personazhet kryesorë djali dhe tigri.
Na e ka dhuruar ne dhe shumë fëmijëve të tjërë në shkolla dhe qytete të ndryshme.Ne do ta lexojmë këtu në klasë gjatë orëve të lira siç e kemi bërë zakon tashmë por ju do të keni mundësinë ta lexoni sërisht vetë pasi xhaxhi Sokoli shumë kopje të këtij libri ia ka dhuruar bibliotekës së shkollës sonë dhe bibliotekës së qytetit ku shumë prej jush janë regjistruar.
Kështu u tha mësuesja atë ditë nxënësve të saj dhe vijoi orën e mësimit “të cënuar paksa” nga kureshtja e tyre.