VIZITË E DISA SHKRIMTARËVE, NGA SUEDIA…
Nga: Murat Gecaj
Këto ditë, kanë ardhur nga Suedia, në Shqipëri, shkrimtarët e veprimtarët e njohur të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras të Suedisë, Sokol Demaku e Hamit Gurguri, bashkë me dy krijuese të Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë. Me këtë rast, ata do të bëjnë vizita në bibliotekat e qyteteve të ndryshëm dhe do të takohen aty, me poetë e shkrimtarë.
Një takim të tillë të ngrohtë zhvilluan ata edhe në mjediset e Hotelit “Livia” të kryeqytetit. Ishin të pranishëm kolegë e miq të tyre, poetë, shkrimtarë e publicistë, nga Tirana e Durrësi. Aty shkëmbyen mendime dhe përvojën e punës së tyre krijuese, duke nënvizuar dobinë e forcimit të lidhjeve të ndërsjellta.
Gjitjhashtu, në këtë takim mbresëlënës, ata bënë fotografi së bashku e dhuruan libra të tyre, për të pranishmit. Kështu, p.sh., Sokol Demaku dhuroi librin e tij publicistik, “Një rrugëtim magjepës, në Veriun e largët”(Boras, 2017). Ndërsa krijuesi tjetër, Hamit Gurguri, autor i 25 librave të mëparshëm, dhuroi librat e tij në prozë: “Gishti mbi Ohër”(që u kushtohet 116 viktimave të aksidentit ajror, më 1993) dhe “As Alia, as Ilia”, gjithashtu botim i ri, pra i vitit 2017.
I falënderojmë ata për librat e dhuruar e urojmë që ta kalojnë sa më mire, këto ditë, në vendin tonë! Shpresojmë që takimet e tyre të jenë sa më frytdhënëse, për ta forcuar më tej miqësinë e bashkëpunimin ndërmjet krijuesve tanë, nga Shqipëria e Suedia!

Kapakët e librave të dhuruar, nga shkrimtarët Sokol Demaku e Hamit Gurguri (Boras-Suedi)