Botime  të  reja 

“DORA  E PARË” , PËRMBLEDHJE PUBLICISTIKE E AUTORIT TË RI, KRISTJAN GJ.DUKAJ  

 

Këtyre ditëve, doli nga shtypi libri me përmbledhje publicistike “Dora e parë”, nga autori, publicisti i ri nga Malësia, KristjanGj. Dukaj. Libri është shtypur në shtypshkronjë “FIORENTIA”, në Shkodër dhe është përmbledhje e shkrimeve autorial e të publikuara në gazeta, revista dhe portale të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, nga autori i ri, Kristjan Dukaj, i cili tashmë është emër i njohur në  gazetarinë dhe publicistikën shqiptare. Në këtë përmbledhje janë përfshirë disa nga punimet e tij në një cikël kohor duke filluar nga shkolla e mesme dhe deri më sot. Ai, me vështrimet  e veta  më së shpeshti ka tërhequr  vërejtjen në fenomene të shumta shoqërore dhe dukuri të  ndryshme të kohës  e të cilat kërkojnë reagimin, sidomos, të strukturave  të organizuara të shoqërisë  në të mirë të përgjithshme. Autori, po ashtu, vlerëson angazhimin dhe kontributin e shoqatave dhe individëve  të cilët me veprimet e veta janë shembull  i afirmimit të vlerave  më të bukura të bamirësisë dhe kultivimit të tyre në brezat e rinj. Siç shkruan edhe publicisti dhe shkrimtari i njohur Zef Pergega, në parathënien e këtij libri: “Kristjani  e ka kurdisur zemrekun e zemrës së vet të punojë që parmenda e aspiratës malësore të jetë dija, arsimimi për të mbajtur të gjitha forcat për prosperitetin e shëndetit të Malësisë dhe kombit shqiptar. Në tufën e shkrimeve  publicistike që po del para lexuesit, Kristjani është një i ri dinjitoz, që premton  mbasi ai vlerëson çdo ide përparimtare e humane të personazheve të tij…”

Edhe krahas obligimeve në studimet master,  në  Universitetin e Sarajevës, Kristjani, nuk e harron pasionin e tij për shkruar  duke përcjellur me kujdes rrjedhat aktuale në lëmi të shumta të shoqërisë. Ai, me shkrimet e veta, në veçanti u është mirënjohës bashkëvendësve të vet që jetojnë në mërgim, për ndihmesën e madhe për vendlindjen dhe të afërmit e tyre, sidomos në shkollimin e gjeneratave të reja nga këto hapësira. Urojmë që së shpejti, autori të na gëzoj edhe me vepra tjera, jo vetëm nga publicistika por edhe të krijimtarisë poetike që e donë  aq shumë.