KOMUNË  E PLOTË A POR FJALËT E MIRA E …?

Kristjan Gj. DUKAJ

Çështja e komunës së plotë,është në fokus të interesimit të banorëve të Malësisë, gjithë këtyre viteve, respektivisht nga jetësimi i sistemit shumëpartiak në vitin 1990. S ‘ka nevojë për ndonjë kronologji të detajuar të rrjedhës së kësaj kërkese të vazhdueshme të banorëve, pasi ato tashmë janë të njohura, madje, edhe për gjeneratën e re e cila gjithnjë e më shumë e ndien  nevojën e një vetëqeverisjeje të plotë lokale në këtë territor. Të vetëdijshëm për këtë të drejtë, në radhë të parë,  natyrore të banorëve të këtushëm, ç’do lëvizje në këtë drejtim ka zgjuar interesimin  e popullatës vendase duke ngjallur shpresat për realizimin kësaj të drejte. Ka pas premtime të njëpasnjëshme të natyrave të ndryshme, kryesisht gatë fushatave zgjedhore nga struktura dhe subjekte të shumta e që kanë pretenduar gjithnjë votat e elektoratit në këto treva. Pushteti malazias, gjithnjë ka formuar koalicioni para ose paszgjedhore, me struktura të tilla politike të cilat, madje,  me programet e veta partiake insistonin në realizimin kësaj kërkese. Por, deri më sot një gjë e tillë nuk është realizuar. Vendimi i paradokohshëm i Qeverisë së Malit të Zi, që Tuzi të jetë Komunë e plotë, u mirëprit nga opinioni i gjerë në Malësi. Aq më parë pasi propozimi më i ri, sipas paralajmërimeve nga pushteti ekzekutiv, do të dërgohet në Kuvend, respektivisht në pushtetin ligjdhënës në shqyrtim e më pas, i njëjti,  duhet të miratohet. Mirëpo, edhe vendimi më i ri, me të drejtë, ka shkaktuar reagime të ndryshme sa i përket jetësimit të  vendimit të duhur për banorët e Malësisë. Përfaqësuesit e koalicionit “Shqiptarët të vendosur”, si pjesë përbërëse e koalicionit qeveritar në Mal të Zi, janë shprehur të kënaqur  duke pohuar se kjo është në vijën e kërkesave të tyre për të qenë pjesë e  këtij koalicionit, si njëri ndër kushtet e kërkuara nga ata. Në anën tjetër, kemi dilema të shumta lidhur me zgjidhjen e propozuar  se a ofron ajo një komunë me kapacitet  të plotë të vetëqeverisjes lokale?

Për të mënjanuar  të gjitha dilemat eventuale, ata që janë të njoftuar me detajet e propozim-vendimit, do të ishte e nevojshme të organizojnë ndonjë tribunë me qytetar dhe përfaqësues të të gjitha strukturave formale të shoqërisë në trevën e Malësisë, jo për të debatuar  por,  thjesht, për të sqaruar dilemat e parashtruara; propozimi që ideja të jetësohet nga shtatori i vitit të ardhshëm dhe cilat janë dispozitat e parapara të ligjit në tërësi e të cilat do të jenë temë diskutimi në Parlament. Aq më parë, pasi ka nevojë për veprim sa më transparent sepse nga zgjidhja e mirëfilltë e kësaj çështje varet jo vetëm zhvillimi i kësaj treve përmes një planifikimi të duhur por edhe ruajtja dhe afirmimi  i resurseve të përgjithshme njerëzore në trevën e Malësisë. Vetëm në këtë mënyrë, do të krijohen parakushtet e domosdoshme që vlerat ekzistuese të vijnë në shprehje  në të mirën e zhvillimit të gjithmbarshëm të shoqërisë  së përgjithshme në Malësi. Themelimi i institucioneve të duhura; ekonomike, shoqërore, sociale, kulturo- shkencore, zhvillimore, e kështu me radhë, me një funksionim të mirëfilltë përmes menaxhimit të drejtë, janë nevojë jetike për banorët e Malësisë.