Lejlekët

Tregim nga Viron Kona

 

Në fillim ata i panë fëmijët, që brohoritën dhe u derdhën me potere në qendër të fshatit. Çifti i lejlekëve, pasi erdhi dy-tri herë rrotull, u ul qetësisht mbi lisin e madh, ku kishin ngritur prej vitesh folenë e tyre. Qëndronin mbi këmbët e gjata dhe të holla si purteka dhe kthenin kokat nga të gjitha anët si të donin të përshëndetnin fshatin dhe banorët e  tij.

Ndërkohë, rreth lisit ishin mbledhur ca fshatarë që ktheheshin nga puna.

-Erdhën, ë? – thoshte ndonjëri dhe, ashtu me vështrimin nga lisi fliste për lejlekët e për dobinë e tyre. Sidomos dëgjohej zëri i një plaku.

-Ata na kanë ndihmuar shumë në kohët e para, – thoshte ai -Ndodhte që shpesh që ne orientoheshim nga lejlekët. Më parë kishte shumë lejlekë”, – dhe ai lëmoi mustaqet e  bardha.

-Po tani, pse s`ka shumë? – pyeti një fëmijë, duke  e parë plakun me kërshëri.

-Pse s`ka? – Plaku nënqeshi lehtë, – E di ti djalo me se ushqehen lejlekët?

-E kam mësuar në shkollë, – nxitoi të thoshte djali, – Lejlekët ushqehen me bretkosa, gjarpërinj…

-Ja ku më dole, – tha plaku, – po, duhet ta dish se, këto gjallesa që përmend ti, jetojnë nëpër këneta e moçale. Po, pa më thuaj, ka këneta e moçale tani? – pyeti ai duke picërruar sytë.

-Jo, – iu përgjigj djali.

-Hë të lumtë! – tha plaku dhe vazhdoi: – Kështu që, edhe lejlekët s`lanë se ç`hanë!

Kalonin ditët. Njerëzit sikur ishin mësuar me lejlekët, të cilët jetonin në paqe e qetësi, të sigurt se asnjeri nuk i ngacmonte. Tregonin një herë, se, kur një fëmijë i kishte goditur me gur dhe  e kishte plagosur në këmbë njërin nga lejlekët, fshati e kishte qortuar.

-Ja, ky e qëlloi lejlekun!  – e tregonin me gisht dhe, djali i vogël s`dinte ku të futej nga thumbat. Edhe pse që atëherë kishin kaluar disa vjet, kjo ngjarje kujtohej sa herë që ktheheshin lejlekët nga shtegtimi i largët.

Një mbrëmje filloi të frynte fort. Lisat dhe plepat e gjatë përkuleshin me rënkim, ndërsa xhamat e  dritareve kërcisnin sikur do të thërrmoheshin të gjithë. Atë mbrëmje ra në tokë foleja e lejlekëve dhe vezët u thyen. Shpendët u sollën të shqetësuar rreth lisit, u ngritën e u ulën disa herë thuajse mbi kokat e njerëzve si të kërkonin ndihmë prej tyre, pastaj klithën me dhembje ( kështu iu duk njerëzve) dhe u ngritën lart. Si bën disa rrathë mbi fshat, u zhdukën tutje dhe s`u panë më.

Largimi i lejlekëve la pas një boshllëk trishtues.

-E morët vesh, ikën! – thoshte dikush.

-E pra…,- i përgjigjej tjetri dhe, ai që ishte ndodhur aty, tregonte me hollësi si kishte ngjarë.

-A do të kthehen më? – pyesnin fëmijët. Por, kësaj pyetje, s`para i përgjigjej njeri.

Të nesërmen në mëngjes, maja e lisit duke e shkretë. Dikujt i lindi mendimi që të ndërtonin përsëri folenë, ndoshta lejlekët ktheheshin.

-T`i  themi  Vasos, atij marangozit të ri që i do lejlekët, – propozoi.

-Marrim Rrapon, se ai është marangoz i mire, – tha një tjetër dhe, shpejt, ata ranë në një mendje. Pas pak, një mesoburrë me flok kaçurrela të zeza, që i pëlqente të mbante mustaqe, u gjend aty me sharrë, çekanë, gozhdë e disa dërrasa.

-Një shkallë, – tha Rrapoja dhe, me cigaren në buzë, shihte i menduar në majën e lisit.

Prunë shkallën dhe Rrapoja hipi sipër.

-Më lart, më anash, – i thërrisnin nga poshtë.

Por Rrapoja nuk i merrte parasysh vërejtjet që i bëheshin. Punonte si një njeri që, e di se ç`bën. Kur zërat nga poshtë bëheshin këmbëngulës, sepse, me të vërtetë ai dërrasat i kishte vënë shtrembër, Rrapoja ua kthente me inat:

-Sikur nuk i shoh unë!

Nuk i pëlqente ta mësonin të tjerët. E kishte këtë huq dhe, të gjithë në fshat ia kishin mësuar e nuk ia merrte njeri për keq. Tregonin për Rrapon se, kur shkonte për të gjuajtur peshk me pezevoll, e, kur fëmijët që e ndiqnin pas i tregonin duke thirrur: ”Xhaxhi Rrapo, ja peshku, hidhe rrjetën!” a i shihte me bisht të syrit dhe thoshte shprehjen e tij të preferuar: ”-Sikur nuk i shoh unë, do më mësoni ju!” Dhe, nga inati, nuk e hidhte rrjetën. Me gjithë këto huqe, Rrapoja ishte marangoz i mirë dhe folenë e lejlekëve e ndërtoi për bukuri.

Me gjithë punët e shumta të stinës, kishte edhe nga ata që nuk i harronin lejlekët dhe pyesnin përse nuk po dukeshin. Madje, u tha se, Thanasi, që e thërrisnin “Shkencëtari”, kishte disa ditë që rrëmonte nëpër libra  ku flitej edhe për lejlekët. Kur dilte nëpër fshat, sidomos fëmijët e pyesnin se, cili ishte mendimi i tij: “do të vinin lejlekët”?

Thanasi fliste ngadalë, përmendte këtë e atë titull libri dhe, në fund, shtonte të njëjtën gjë: -E ku ta dish!

Një pasdite, kur ca fshatarë ishin mbledhur në qendrën e fshatit e bisedonin, se kush tha se i kishte parë lejlekët në një fshat tjetër. Mirëpo lejlekët duhej t`i ktheheshin prapë fshatit të tyre, të tjerët nuk kishin të drejtë t`i mbanin. Kështu që telefonuan në atë fshat se mos vërtetë lejlekët e tyre ndodheshin atje.

-Janë dy lejlekë të mëdhenj, borë të bardhë, – këmbëngulte në telefon Xani, që ishte edhe më i shqetësuari për zhdukjen e tyre. Ai ishte rroje në depot e fshatit dhe  e kishte përballë folenë e lejlekëve, kështu që ishte miqësuar prej vitesh me ta.

-Ik ore nga telefoni! Paske nge ti! – s`ju durua tjetrit nga fshati fqinj,  – ne na zjenë koka, ti flet për lejlekë. Ç`lejlekë, more!”

-Ç`lejlekë!…- Xani ishte skuqur nga fyerja që iu bë dhe u mat t`i jepte një përgjigje të mirë atij tjetrit, por telefoni matanë ishte mbyllur.

-Me siguri, aty janë, – tha Xani duke turfulluar, – Pak se na morën me hile fitoren në ndeshjen e futbollit, por, na tashti, edhe lejlekët! Po gjejnë dhe bëjnë. Kur i kemi të humbur këta drejtuesit tanë, ata do të bëjnë ç`të duan me ne!

Atë mbrëmje binte shi dhe në klubin e fshatit, ca komentonin një ndeshje sportive, ca bënin shaka me Xanin për atë punën e lejlekëve. E zonja e lokalit, Zena, ankohej se po ia mbushnin klubin me baltë dhe me bishta cigaresh.

-I hëngërt skifteri ata të flamosur! – shfrente ajo për lejlekët, si të ishin ata shkaktarët që njerëzit ishin mbledhur aty.

-Moj ti, s`paske dhembshuri! – u hodh e i tha Katina, një mesogrua, shitësja  e ushqimores, e cila kishte pasur një zënkë me Zenën. Ato të dyja sikur nuk shkonin me njëra-tjetrën. Tani, me sa duket, Katina përfitoi nga mënyra sesi u shpreh Zena dhe vazhdoi me qesëndi:

-Prandaj i ke fëmijët aq të mbarë ti! – Dhe, ndërkaq hodhi një vështrim përreth si për të gjetur miratim.

Megjithatë ditët e javët shkonin dhe mysafirët s`po dukeshin. Në një mbledhje fshati, ku kishte ardhur edhe një përfaqësues i bashkisë, Xanit s`iu durua dhe pyeti, nëse, mund të bëhej gjë që lejlekët të ktheheshin përsëri. Ca ia dhanë të qeshurave.

-Ç`janë këto broçkulla, more! – ndërhyri përfaqësuesi i bashkisë, -me lejlekët do merreni?

Në sallë u ndjenë të kollitura dhe lëvizje karrigesh. Gëzimi, kryeplaku i fshatit uli kokën. Dukej se kishte një hall edhe ai dhe diç donte të thoshte.

-More, po të gjithëve na ka mbetur pak merak jo punë, – tha me një buzëqeshje që iu ravijëzua në cepat e buzëve. Pastaj, u ngrit dhe zuri të fliste për halle të tjera të fshatit….

Lajmin  e përhapën të parët fëmijët.

-Po vijnë lejlekët, lejlekët!

Ata që u ndodhën aty, ngritën sytë lart. Tej, në horizont, dukeshin dy pika të bardha, që sa vinin zmadhoheshin. Ata erdhën mbi fshat dhe, një copë herë u duk sikur lejlekët po mendonin nëse duhej të uleshin apo jo. Kurse fëmijët nisën të thërrisnin:

-Ja foleja, ja foleja e re! – si të donin t`i bindnin lejlekët që të uleshin.

Njëri nga lejlekët filloi të zbriste. Tjetri e ndoqi dhe ata erdhën thuajse mbi  kokat e njerëzve. Pastaj panë folenë dhe, sa s`klithën të gëzuar (kështu iu duk njerëzve) dhe u drejtuan atje.

Rrapo marangozi u hodhi një vështrim të tjerëve. Një fëmijë që ishte llangosur me baltë, e tërhiqte nga mënga e xhaketës duke i thirrur:

-Xhaxhi Rrapo, erdhën lejlekët!

-Sikur nuk i shoh unë! – tha Rrapoja, dhe, për herë të parë, në kundërshtim me zakonin e  tij, ai pa andej nga tregonin fëmijët.

Xani kënaqej, tundte kasketën prej meshini dhe herë – herë i binte me bërryl Rrapos, i cili vazhdonte të qëndronte rëndë-rëndë.

Pleqtë nënqeshnin dhe diçka bisedonin me njëri-tjetrin. Katina se ç`pëshpëriste mbi dashurinë e fëmijëve dhe kthente sytë nga bufeja, por Zena bënte sikur nuk interesohej për lejlekët.

Pas pak, edhe asaj nuk iu durua dhe doli në derë duke fshirë duart me përparëse.

Thanas “Shkencëtari” hoqi syzet, u tregoi të tjerëve librin   që mbante nën sqetull dhe tha: