NJIHUNI ME NUMRIN E RI TË REVISTËS “DITURIA” (BORAS-SUEDI)…

Nga: Prof.Murat Gecaj

        publicist e studiues (x)

M.Gecaj, autori i shkrimit…

1.

Në qytetin Boras të shtetit mik të Suedisë, në Skandinavinë e largët, ka disa vjet qëkur e zhvillon veprimtarinë e sa, Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”. Ajo ka organizuar e vazhdon të organizojë veprimtari të panërprerë kulturore e artistike, me theks të veçantë njohjen dhe ruajtjen e traditave kombëtare shqiptare dhe përçimin e tyre, në mjedisin e bashkësisë shqiptare aty, sidomos te brezi i ri. Kështu, janë bërë tubime festive dhe shfaqje artistike, në përvjetorët e shënuar të festave tona kombëtare, si dhe në raste të tjerë. Bashkatdhetarët tanë i ndjekin me kureshtje dhe interes të veçantë, këto veprimtari. Sepse atyre u pëlqejnë shumë kkëngët e vallet tona, si dhe veshjet popullore të artistëve, nga krahina të ndryshme. Për këto, që po shkruaj, jemi bërë dëshmitarë edhe ne, një grup prej katër vetash. Katër vjet më pare, ne ishim të ftuar në Boras, me rastin e 5-vjetorit të krijimit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe të përvjetorëve, të revistës e radios, po me këtë emër.

Që nga ajo kohë, miqtë tanë, me banim në atë qytet e gjetkë në Suedi: Sokol Demaku, Bahtir Latifi, Hamit Gurguri e të tjerë, nuk i kanë shkëputur lidhjet me ne. Bile, ata kanë ardhur disa herë vizitorë, bashkë me miq suedezë, sidomos në shkolla e biblioteka të qyteteve Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Krujë etj.

2.

Siç shkrova më lart, QKSH “Migjeni” boton revistën “Dituria”, me kryeredaktor arsimtaarin, shkrimtarin e publcistin Sokol Demaku. Në redaksinë e saj bëjnë pjesë krijues të njohur shqiptarë, sidomos me banim në Suedi. Ata janë: Fetah Bahtiri, Hamit Gurguri, Hysen Ibrahimi, Bahtir Latifi e Hakif Jashari, por dhe dr.Rovena Vata e Mrt.Kadrije Mëniqi. Për të interesuarit, e-maili i kësaj reviste është: dituria@live.se

Ballinat e numrit të ri të Revistës së përmuajshme, kulturore-informative, “Dituria”(Boras-Suedi)…

Pa u zgjatur, tregoj se, sot në mëngjes, postieri solli numrin e ri të revistës “Dituria” (mars, 2017). Atë e kishte dërguar miku i palodhur e i kujdesshëm, Sokol Demaku.Në hapje të saj, në rubrikën “Nga mërgata”, është botuar shkrimi i gazetarit Gjin Musa, “Ambasada, pasqyra e shtetit, që përfaqëson-Alma Lame, ambasadore e Shtetit të Kosovës, në Shtetin Italian”. Bëhet fjalë aty për një pritje, nga Ambasada e Republikës së Kosovës, me rastin e 9-vjetorit të shpalljes së saj, në qendrën kulturore të Romës, me pjesëmarrjen e mjaft bashkatdhetarëve tanë, në këtë vend mik.Në vazhdim, botohet intervista, me mësuesen dhe veprimtaren e njohur e të palodhur, në qytetin e Ulqinit, Luljeta Avdiu-Cura, “Jeta kulturore, në këto treva të Anamalit, e mban gjallë shpirtin entuziast të njerëzve artdashës”.

Një ndër bashkëpunëtorët e rregullt të kësaj reviste është shkrimtari e publicisti i mirënjohur, Viron Kona, me banim në kryeqytetin Tiranë. Ai e ka vizituar disa herë Suedinë dhe pastaj ka botuar katër libra të bukur, kryesisht, me tematikë mbresat dhe shënimet e mbajtura prej tij. Në këtë numër, të kësaj reviste, është botuar tregimi i tij, për fëmijët, “Të kishte qenë zemra, eh, ku ta gjeja!”

Në çdo numër të revistës “Dituria” gjejnë pasqyrim recensionet ose shënimet për librat e rinj. Kështu, kësaj here, i tillë është shkrimi “Njihuni me librin e ri, “Poleni Viking-Impresione”, me autorë Sokol Demakun e Viron Konën”(shkruar nga M.Gecaj). Në tri faqe, është botuar edhe  shkrimi i Nuri Dragojt, për dy vëllime poetike  të Sokol Demakut, “Magjia  e zemrës” dhe  “Mbrëmja  në mërgim”.

Dihet se autorët e ndryshëm, që shkruajnë në poezi ose prozë, kanë dëshirë t’i shohin krijimet e tyre, në shtyp e në Internet.Kështu, në revistën “Dituria”, ata kanë gjetur   një “strehë të ngrohtë”, pasi përherë aty lexuesi njihet me krijime të reja. Ja, në rubrikën “Faqja  e poezisë”, janë botuar poezi nga autorë, që jetojnë në shtete të ndryshme: Alba Duva, Rabije Bytyqi, Albert Haziraj, Rudina Mërkuri, Lili Bimi, Juliana Mehmeti, Lindita Kaloçi, Drita Braho, Kristaq Turtulli,Lindita Topali e Zamira Agalliu.

Vend me rëndësi i është kushtuar edhe shkrimit të publicistit Llazar Vero, me banim nëAmerikë, “Ne treguam se e kemi shpirtin plot me dashuri njerëzore…Nga Fildelfia, përcjellje për në Atdhe, e të ndjerit Altin Haxhiraj”. Në vijim është shkrimi, në pesë faqe, i arsimtarit e publicistit Bashkim Saliasi, “Faleminderit, miku ynë Viron Kona!”(Reportazh, nga shkolla “Vëllazërimi” Babrru-Kodër, Tiranë).

Në faqet e fundit të kësaj reviste janë shkrime në rubrikat:  “Bardhyl Selimi dhe matematika e tij” e “Anekdota popullore shqiptare”.

…Në mbyllje të këtij shkrimi informues, e urojmë redaksinë e revistës “Dituria”, për këtë numër të ri dhe e falënderojmë kryeredaktorin e saj, Sokol Demaku, për kopjet e dërguara!

Tiranë, 15 mars 2017

………………………..

(x) Anëtar-Nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi.